Përsosmëria e Kadaresë/ Analiza e dorëshkrimeve të shkrimtarit tregon korrigjimet e vazhdueshme

02/10/2025 19:57

Dorëshkrimet e një shkrimtari janë rrugëtimi i një procesi të gjatë krijues, nga hedhja e mendimeve në letër deri te vepra që lexuesi merr në dorë.

Duke analizuar qindra dorëshkrimet e kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare, studiuesja Persida Asllani tregon se vepra e tij ka qenë gjithmonë në rikrijim, me korrigjime të herëpashershme.

“Po ta shikojmë, kemi një korrigjim mbi daktiloshkrimin, ku një fletë e vendosur riplotëson një paragraf. Mund të kemi dhe rastin kur është hequr komplet një paragraf. Por, nuk është sasia, por cilësia që e bën veprën e bukur, një fjalë e ndryshuar hap një rrugëtim tjetër në leximin e veprës”- shprehet studiuesja Persida Asllani.

Sa herë botoheshin veprat e tij, Kadare riniste punën për të përmirësuar elementët stilistikë, duke qenë vazhdimisht në kërkim të së përsosurës.

Tregojnë një autor tmerrësisht të vetëdijshëm për punën me tekstin. Vetëdija krijuese është kritiku më i egër i vetë autorit.”

I tillë është Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, që është ribotuar disa herë dhe dhe për Asllanin, kalimi nga dorëshkrimi në tekstin e shkruar është një proces po aq krijues sa është libri i lexuar.

Kjo e karakterizon veprimtarinë e Kadaresë deri në fund, ai e pati vullnetin dhe pasionin për të përmirësuar dhe përsosur dorëshkrimet e tij.”

Në një leksion të hapur me maturantë në ambientet e Studios Kadare, studiuesja njohu të rinjtë me disa dorëshkrime me rëndësi të fondit të muzeut, ndërsa propozon një metodë tjetër mësimdhënieje, që nxënësit të njohin më mirë letërsinë dhe autorët shqiptarë.

Do të këmbëngulja më tepër në një aftësim sa më cilësor të nxënësve për të lexuar. Nuk është puna të detyrojmë një nxënës të lexojë pafund veprën e Kadaresë, nëse ia kemi dalë, e kemi mësuar dhe pavarësuar nxënësin të lexojë mirë një vepër, i kemi dhënë luksin e madh të jetë një lexues i mirë gjithë jetën”-shton Asllani.

Top Channel