
Autoritetet e Kosovës kanë ngritur aktakuzë ndaj dy personave të dyshuar për fajde dhe disa vepra të tjera penale, duke i akuzuar ata për shkaktimin e dëmeve në vlerë mbi gjashtë milionë euro.
Prokuroria Speciale e Kosovës, përmes një njoftimi për media, i identifikoi të akuzuarit vetëm si B.M dhe Q.M, dhe tha se ata ngarkohen edhe me vepra të tjera, si mashtrimi, shpëlarja e parave, falsifikimi i dokumenteve dhe kanosja.
Që të dy akuzohen se gjatë vitit 2020 në kundërshtim me ligjin kishin “kontraktuar një shumë të konsiderueshme dhe joproporcionale të pasurisë në këmbim të një shërbimi ndaj të dëmtuarit, duke i dhënë atij para me fajde disa herë”.
Prokurorët thonë se kanë të pandehurit më pas ia kanë tjetërsuar të dëmtuarit pronën në Prishtinë, pasi ai nuk kishte qenë në gjendje t’ua kthente të hollat.
Gjithashtu, ata akuzohen se “në bashkëkryerje, duke e ditur se pasuria rrjedh nga aktiviteti kriminal, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore dhe të fshehjes së vlerës reale, në mënyrë të kundërligjshme e konvertojnë, duke u shkaktuar dëm të dëmtuarve në vlerë prej 6,300,000.00”.
Në muajt e fundit, autoritetet e sigurisë e kanë luftën kundër fajdeve.
Ditë më parë, Prokuroria Themelore në Prizren ngriti aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët dyshohet se, veç e veç, morën fajde, që në total arrin vlerën e 1.4 milion eurove.
Autoritetet kanë kërkuar që të bëhet konfiskimi dhe kthimi i 21 banesave dhe lokaleve afariste, që u ishin dhënë të akuzuarve nga të dëmtuarit, pasi ata nuk mund t’ua kthenin borxhin.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që gjendet fajtor për fajde mund të dënohet me gjobë, si dhe me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Nëse kjo vepër penal shkakton humbje financiare për të dëmtuarin në shumë prej mbi 10 mijë eurosh dhe nëse kryesi ka përfituar pasuri po kaq, ai mund të dënohet me gjobë dhe burgim nga një deri në tetë vjet.
Top Channel