
Ecuria aktuale e ekonomisë dhe stabiliteti i çmimeve kanë bërë që Banka e Shqipërisë të vijojë të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin e 2.5%.
Në një deklaratë për mediat Guvernatori Gent Sejko deklaroi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i qëndrueshëm për ekonominë vendase.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.50%;
Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.50%.
Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.50%.
Inflacioni shënoi një rritje të lehtë në muajt korrik e gusht, duke arritur në nivelin 2.4%, nga 2.3% në tremujorin e dytë. Kjo ecuri u ndikua kryesisht nga rritja e çmimit të qirave dhe stabilizimi i çmimit të naftës. Nga ana tjetër, inflacioni i çmimeve të ushqimeve vijoi të bjerë, ndërsa çmimet e mallrave dhe të shërbimeve të tjera mbetën relativisht të qëndrueshme”, deklaroi Gent Sejko.
Guvernatori vlerësoi rritjen ekonomike në tremujorin e dytë ndërsa I cilësoi pozitive ecurinë e treguesve të punësimit dhe papunësisë.
“Në tërësi, zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime është pasqyruar edhe në dinamikat e tregut të punës. Në tremujorin e dytë, punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 3.4%, papunësia totale ra në nivelin 8.5%, ndërsa pagat e sektorit privat u rritën me 9.5%. Tendenca e rritjes së pagave në sektorin privat gjatë viteve të fundit reflekton si kërkesën e lartë për punë, ashtu edhe mungesën e fuqisë punëtore. “
Guvernatori u shpreh optimist për vijueshmërinë e ekonomisë shqiptare gjatë viteve në vazhdim, me ritme solide dhe të përafërta me potencialin e saj afatgjatë ndërsa vlerëson digjitalizimin e pagesave dhe uljen e parasë në dorë si një tjetër objektiv strategjik.
Top Channel