E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn ka zhvilluar një takim në Presidencë me presidentin e vendit, Bajram Begaj.

Ky është momenti ku e dërguara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn largohet nga presidenca paraditen e kësaj të mërkure, pas një takimi me presidentin Bajram Begaj.

Top Channel pyeti presidencën dhe selinë diplomatike të Washingtonit në Tiranë se cili ishte qëllimi takimit. Deri më tani as presidenca dhe as ambasada amerikane të Tiranë nuk kanë bërë asnjë koment zyrtar.

Siç edhe tregojnë këto pamje më pas kreu i shtetit është larguar nga presidenca për të marrë pjesë në një aktivitet të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ky takim në presidencë mes Nancy VanHorn dhe presidentit Bajram Begaj është zhvilluar vetëm një ditë pasi qeveria njoftoi kreun e shtetit për vakancat në 6 bashki të vendit përfshi atë të Tiranës.

Nga marrja e këtij njoftimi kreu shtetit duhet të shprehet me dekret brenda 48 orëve.

Kjo do të thotë se afati i fundit për të folur me dekret i presidentit është deri orën 10 të paradites të së enjtes.

Për pesë bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik presidenti e ka fushëveprimin ligjor pa pengesa pasi krye-bashkiaket e këtyre bashkive u dorëhoqën për tu bërë deputet dhe në rastin e Cërrikut ministër.

Por dekretimi nga presidenti merr një komplikim ligjor me karakter kushtetues pasi kryetari i shkarkuar i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj tashmë e ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë për shkarkimin e tij.

Cilido të jetë vendimi presidentit me dekretim apo mos dekretim të zgjedhjeve në Tiranë, me shumë interes do të shikohet relacioni shpjegues i juristëve të presidencës për këtë rast.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta