
Një shtetas shqiptar është dënuar me pesë vite burg në Britaninë e Madhe, pas një hetimi të kryer nga Policia e Thames Valley lidhur me një aksident të rëndë dhe mashtrim sigurimesh në qytetin e Oxfordit.
Besjan Karaj, 27 vjeç, banues në Field Avenue, Oxford, u dënua të premten (26 shtator) nga Gjykata e Lartë e Oxfordit. Përveç burgut, ai u pezullua nga e drejta e drejtimit të automjeteve për 5 vite e gjysmë, dhe do të duhet të kalojë një test të avancuar për të rimarrë patentën.
Karaj u deklarua fajtor për një akuzë të shkaktimit të lëndimeve përmes drejtimit të rrezikshëm dhe një tjetër për mashtrim me përfaqësim të rremë ndaj kompanisë së sigurimeve.
Më 13 korrik të vitit të kaluar, Karaj po drejtonte makinën e tij në rrugën B4017, kur në një kthesë me shpejtësi të lartë hyri në korsinë e kundërt dhe u përplas me një motorist 22-vjeçar. Ai u largua nga vendngjarja pa ndaluar, duke e lënë viktimën të plagosur rëndë.
Policia, pasi mbërriti në vendngjarje, arriti të rindërtojë ngjarjen përmes copave të mbetura të automjetit, përfshirë targën dhe logon e makinës, të cilat çuan në identifikimin e automjetit – i cili u gjet vetëm një milje larg, në flakë.
Përmes të dhënave të celularit, hetuesit e vendosën Karajn si të pranishëm në vendin e aksidentit dhe gjithashtu pranë vendit ku makina u dogj. Më pas, kur viktima kërkoi dëmshpërblim nga kompania e sigurimeve, Karaj pranoi se ishte drejtuesi i mjetit, por tentoi të fajësonte motoristin për aksidentin.
Ai u arrestua më 2 janar të këtij viti dhe u akuzua një ditë më pas.
Hetuesi PC Matthew Stansfield nga Njësia e Policisë Rrugore deklaroi: “Jam i kënaqur që Karaj u shpall fajtor dhe mori një dënim me burg. Kjo është një dëshmi se ne do të punojmë pa u lodhur për të zbardhur të vërtetën dhe për të sjellë drejtësinë për viktimat. Ky vendim tregon se askush nuk është mbi ligjin – veçanërisht ata që rrezikojnë jetën e të tjerëve në rrugë.”
Top Channel