
Donald Trump ka hartuar një plan paqeje për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe ka caktuar një afat prej “tre deri në katër ditësh” për Hamasin që të përgjigjet.
“Do të jetë një fund shumë i trishtueshëm” nëse Hamasi e refuzon marrëveshjen, u tha ai gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë të martën.
Hamasi ende nuk i është përgjigjur planit të Trump, por ministria e jashtme e Katarit thotë se grupi po e studion atë “me përgjegjësi”.
Plani me 20 pika, i njoftuar gjatë vizitës së kryeministrit izraelit Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë të hënën, përfshin një ndërprerje të menjëhershme të operacioneve ushtarake dhe lirimin e të gjithë pengjeve brenda 72 orëve.
Gjithashtu detajon se Hamasi nuk do të ketë asnjë rol qeverisës në Gaza. Në vend të kësaj, Rripi do të qeveriset nga një “komitet palestinez teknokratik dhe apolitik” dhe një “Bordi i Paqes” i përbërë nga udhëheqës ndërkombëtarë.
Një zyrtar i lartë i Hamasit i ka thënë BBC-së se grupi ka të ngjarë ta refuzojë propozimin e Trump, duke thënë se ai “i shërben interesave të Izraelit” dhe “injoron ato të popullit palestinez”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka dhënë mbështetjen e tij propozimit të presidentit amerikan, por sot ka përsëritur se Izraeli do t’i “rezistojë me forcë” një shteti palestinez, pavarësisht përfshirjes së tij me kusht në planin 20-pikësh.
Top Channel