
Dani Carvajal ka marrë një dënim zyrtar nga UEFA pas kartonit të kuq të drejtpërdrejtë në ndeshjen e fazës së grupeve të Champions League kundër Olympique de Marseille.
Mbrojtësi i djathtë i Real Madrid u përjashtua në minutat e fundit të lojës pas një përplasjeje me portierin Gerónimo Rulli, ku gjyqtari e ndëshkoi për një goditje me kokë.
UEFA konfirmoi sot se Carvajal do të pezullohet për dy ndeshje, duke lënë madrilenët pa një nga lojtarët më me përvojë në këtë fillim sezoni europian.
Për Real Madrid, vendimi vjen në një moment delikat. Edhe Trent Alexander-Arnold, i afruar këtë verë, është i dëmtuar dhe do të mungojë për disa javë. Pa dy mbrojtësit e parë në krahun e djathtë, trajneri Xabi Alonso mbetet me pak alternativa për sfidat e ardhshme.
Megjithatë, situata në praktikë është më pak dramatike, pasi edhe vetë Carvajal pritej të mungonte rreth një muaj për shkak dëmtimi. Pezullimi, në këtë rast, përkon me periudhën e rikuperimit.
Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve më optimiste, Carvajal mund të rikthehet në kohë për El Clasico, megjithëse kjo mbetet ende e pasigurt.
Top Channel