Në Prishtinë u protestua me kërkesën për lirimin e ish-policit Arbnor Spahiu i cili po mbahet tash e katër muaj në paraburgim në Serbi.

Ai akuzohet nga autoritetet serbë për veprën penale të vrasjes së rëndë në rastin e Banjskës, sulmit terrorist që kreu një grup i organizuar e ndihmuar nga autoritetet e Serbisë. Familjarët kërkuan nga institucionet vendore e ndërkombëtare angazhim më intensiv në lirimin e tij nga paraburgimi.

“I bëjmë thirrje që të mos heshtin, të mos vonojnë dhe të mos e neglizhojnë këtë rast. Heshtja e shtetit nuk është thjeshtë dështim, është një padrejtësi e dyfishtë. Po ashtu, sot duam t’u drejtohemi me forcë edhe institucioneve ndërkombëtare. Ambasadat e vendeve mike, organizata për të drejtat e njeriut, ne ju bëjmë thirrje të mos qëndroni të heshtur përballë kësaj padrejtësie”, u shpreh Donjeta Spahiu, familjare e Arbnor Spahiut.

Babai i Arbnor Spahiut thotë se gjendja e tij emocionale është e renduar për shkak të padrejtësisë që po bëhet.

“Me Arbnorin janë takuar e shoqja dhe nëna e Arbnorit. Nori sa i përket gjendjes fizike është mirë, por për shkak të gjendjes emocionale, dihet është i lodhur, është i mërzitur nga padrejtësia që po i bëhet”, tha Fatmir Spahiu, babai i Arbnor Spahiut.

Ai shton se Arbnor Spahiu po mbahet në paraburgim dhe është ndaluar vetëm për shkak se ka shërbyer në Policinë e Kosovës.

“Policinë e Kosovës e ka lënë më 1 nëntor, ka dhënë dorëheqjen në vitin 2022, ndërsa akuzohet për rastin që ka ndodhë më 24 shtator 2023, që s’ka të bëjë fare me atë”, tha babai i tij.

Arbnor Spahiu u arrestua në qershor të këtij viti në kufirin mes Hungarisë e Serbisë. Ai vazhdon të mbahet në paraburgim në qytetin e Suboticës.

Përveç Spahiut, autoritetet serbe kanë arrestuar në shtator të këtij viti edhe Hazir Hazirin, në gusht arrestuan Behar Preniqin r në korrik Lulzim Halilin, ndaj të cilëve u kanë shqiptuar edhe masën e paraburgimit.

Ndërkohë në maj të 2025, Serbia arrestoi edhe ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Gramos Agushollin. I njëti u lirua po atë ditë, pas intervistimit të tij. Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë vazhdon tu kërkojë shtetasve të shmangin kalimin nëpër Serbi.

Top Channel