
Këshilli i Ministrave ka njoftuar Presidencën për vakancën në Bashkinë e Tiranës, pas shkarkimit të Erion Veliajt.
Përmes një letre që mban datën e sotme, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agacci njofton Presidencën, lidhur me bashkitë ku aktualisht mungon drejtuesi i institucionit.
“E nderuar, në zbatim të detyrimeve ligjore që burojnë nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, përkatësisht neni 10 i Kodit, si dhe referuar pikës 4, të nenit 61, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, Këshilli i Ministrave është vënë në dijeni për krijimin e vakancave për kryetar në disa bashki të vendit, përkatësisht, bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Tepelenë, Mat dhe Cërrik, e si rrjedhim kërkohet caktimi i datës së zgjedhjeve të pjesshme për kryetar në këto bashki, brenda afateve që përcakton ligji zgjedhor. Gjithashtu, bashkëlidhur lutem gjeni vendimin nr.539, datë 25.9.2025, të Këshillit të Ministrave”, thuhet në letrën e Kryeministrisë.
Njoftimi zyrtar për vakancën e krijuar, i hap rrugë Presidentit të dekretojë daën e zgjedhjeve lokale në këto gjashtë bashki të vendit.
Ndërkohë një ditë më parë, ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Këshillit Bashkiak dhe Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra.
Top Channel