Rusia përfiton 40 miliardë dollarë nga eksportet globale të LNG-së nga viti 2022 deri në vitin 2024

30/09/2025 13:26

Rusia po përfiton ndjeshëm nga shitja e gazit natyror të lëngshëm (LNG) kompanive në Bashkimin Evropian, sipas një studimi të organizatës mjedisore Greenpeace të publikuar sot.

Importet e naftës dhe qymyrit nga Rusia janë ndaluar sipas sanksioneve të BE-së për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Moska, dhe importet e gazit nëpërmjet tubacionit janë ulur ndjeshëm pas shkatërrimit të tubacioneve Nord Stream në shtator 2022. Megjithatë, importet e LNG-së deri më tani janë përjashtuar nga sanksionet.

Greenpeace vlerëson se Yamal LNG, eksportuesi kryesor i LNG-së në Rusi, fitoi gjithsej 40 miliardë dollarë nga eksportet globale midis viteve 2022 dhe 2024, nga të cilat rreth 9.5 miliardë dollarë iu paguan qeverisë ruse në formë taksash.

Kompanitë e BE-së janë ndër klientët më të mëdhenj të Yamal LNG-së ruse, me TotalEnergies të Francës që kryeson. CNPC shtetërore e Kinës është në vendin e dytë, e ndjekur nga SEFE e Gjermanisë në vendin e tretë dhe Naturgy e Spanjës në vendin e katërt. TotalEnergies vlerësohet të ketë kontribuar me 2.5 miliardë dollarë në të ardhurat tatimore të qeverisë ruse, SEFE me 1.45 miliardë dollarë dhe Naturgy me 1.25 miliardë dollarë, sipas Greenpeace.

Me taksat totale prej 9.5 miliardë dollarësh të paguara nga Yamal mbi fitimet e saj nga eksporti i LNG-së, Moska mund të blinte 271,000 dronë luftarakë Sahed ose 2,686 tanke T-90M ose 9.5 milionë predha artilerie 152 mm, thotë Greenpeace.

Kjo sasi predhash artilerie është ekuivalente me pothuajse tre vjet të prodhimit aktual vjetor të Rusisë prej 3 milionë predhash. Numri i raportuar i dronëve përfaqëson 271 herë numrin e raketave që Rusia vendos në një javë kundër Ukrainës.

Greenpeace vëren gjithashtu se importuesit kryesorë të LNG-së ruse në BE – Franca, Spanja, Belgjika dhe Holanda – kanë shpenzuar më shumë për importimin e gazit rus sesa për mbështetjen e Ukrainës.

Nga viti 2022 deri në qershor 2025, katër vendet importuan LNG ruse me vlerë 34.4 miliardë euro, ndërsa siguruan 21.2 miliardë euro për të mbështetur Ukrainën, sipas studimit.

Studimi vëren gjithashtu se grupi francez TotalEnergies mban 20% të aksioneve në Yamal LNG dhe 19.4% të aksioneve në kompaninë e saj mëmë, Novatek.

Që nga viti 2022, TotalEnergies vlerësohet të ketë marrë dividentë prej 5.06 miliardë dollarësh nga Yamal LNG dhe 1.74 miliardë dollarë shtesë në dividentë nga Novatek, shkruan autorët e studimit.

Kompanitë evropiane të energjisë justifikojnë operacionet e tyre të vazhdueshme me Yamal LNG duke përmendur kërkesën dhe kontratat afatgjata. Kompania gjermane SEFE ka kontrata me Yamal LNG deri në vitin 2038.

Kjo kompani njihej më parë si Gazprom Germania dhe ishte një degë e kompanisë shtetërore ruse Gazprom. Ajo u shtetëzua si rezultat i luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe krizës energjitike që kjo luftë shkaktoi në Gjermani.

Top Channel