
Presidenti i Madagaskarit, Andry Rajoelina, ka shpallur shpërndarjen e qeverisë së tij pas disa ditësh protestash të udhëhequra nga të rinjtë, të cilët kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar ndërprerjet e gjata të furnizimit me ujë dhe energji elektrike në vend.
“Ne pranojmë dhe kërkojmë ndjesë nëse anëtarët e qeverisë nuk i kanë kryer detyrat që u janë caktuar”, deklaroi Rajoelina në një fjalim drejtuar kombit të hënën mbrëma, nëpërmjet televizionit shtetëror Televiziona Malagasy.
Lëvizja e quajtur Gjenerata Z ka mobilizuar mijëra të rinj në protestë që prej së enjtes, në disa qytete të vendit, nën sloganin: “Ne duam të jetojmë, jo të mbijetojmë”.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka dënuar ashpër përdorimin e forcës së panevojshme dhe joproporcionale nga forcat e sigurisë gjatë protestave. Sipas OKB-së, të paktën 22 persona kanë ndërruar jetë dhe mbi 100 janë plagosur. Mes viktimave ka protestues, kalimtarë dhe të tjerë që u përfshinë në plaçkitjet të cilat pasuan trazirat.
Presidenti Rajoelina bëri të ditur se brenda tre ditëve të ardhshme do të pranohen aplikime për një kryeministër të ri dhe më pas do të formohet një qeveri e re. Derisa të zgjidhen emrat e rinj, ministrat aktualë do të vijojnë të ushtrojnë detyrat si të përkohshëm.
Protestat filluan në kryeqytetin Antananarivo, por u përhapën dhe në tetë qytete të tjera. Shtetrrethimi është vendosur nga muzgu deri në agim, pasi janë raportuar episode dhune, plaçkitje dhe përplasje mes qytetarëve dhe policisë, e cila ka përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë turmat.
Ministria e Jashtme e Madagaskarit ka hedhur poshtë shifrat e OKB-së, duke i quajtur ato thashetheme.
Në një nga protestat në Antananarivo, një banderolë shkruante: “Ne nuk duam probleme, duam vetëm të drejtat tona.”
Ndërkohë, janë raportuar edhe episode të dhunshme ndaj pronës së disa ligjvënësve, përfshirë djegien e banesave. Lëvizja Gjenerata Z ka mohuar përfshirjen në këto akte, duke akuzuar grupe të paguara për plaçkitje me qëllim që të diskreditojnë protestën.
Kjo krizë konsiderohet si sfida më e madhe për presidentin Andry Rajoelina që nga rizgjedhja e tij për mandatin e tretë në vitin 2023. Ai erdhi fillimisht në pushtet pas protestave masive të vitit 2009, të cilat rrëzuan nga detyra ish-presidentin Marc Ravalomanana.
Presidenti Rajoelina u shpreh se dëshiron të zhvillojë bisedime të hapura me të rinjtë për të adresuar kërkesat e tyre dhe për të gjetur një rrugëzgjidhje për krizën që po përjeton vendi.
Top Channel