“Netanyahu në krizë politike”/ Analiza e BBC: Shmangia e një marrëveshje për paqe, më e keqe sesa të biesh dakord për një të tillë

30/09/2025 17:29

Ai premtoi “fitore të plotë” për Izraelin, por pranë Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, të hënën, ishte Benjamin Netanyahu që dukej i mundur.

Kryeministri izraelit tha të gjitha fjalët e duhura mbi marrëveshjen e paqes që kishte nënshkruar, por dukej i lodhur, me zë të ngjirur dhe pa energji, ndërsa e quajti Trump-in “mikun më të madh që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë”.

Aleatët e ekstremit të djathtë kërcënojnë qeverinë

BBC thotë se kjo “miqësi” mund t’i kushtojë Netanyahut qeverinë. Aleatët e tij të ekstremit të djathtë, si Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir, kanë kërcënuar të largohen nga koalicioni nëse ai bën shumë lëshime për t’i dhënë fund luftës. Ata kanë bërë të qartë synimet e tyre për të aneksuar Gazën, dëbuar palestinezët dhe rindërtuar vendbanimet hebreje atje.

Ndërkohë, marrëveshja e nënshkruar në Washington parashikon një rol për Autoritetin Palestinez në Gaza dhe një rrugë drejt një shteti palestinez – dy gjëra që Netanyahu ka kundërshtuar gjithë karrierën e tij politike.

Një dilemë mes trashëgimisë dhe mbijetesës politike

Trump e di se duke e shtyrë Netanyahu-n në këtë marrëveshje, po e detyron të rrezikojë qeverinë e tij. Në këmbim, Presidenti amerikan i ofron mundësinë e një trashëgimie historike: një të ardhme më paqësore për rajonin dhe hapjen e rrugës drejt lidhjeve të reja mes Izraelit dhe fqinjëve arabë.

Por për Netanyahun, zgjedhja nuk është e lehtë. Ai përballet me gjyqe korrupsioni, dhe kritikat thonë se frika për të humbur pushtetin e bën të ngurojë të marrë vendime që mund ta largojnë nga skena politike. Presidenti izraelit Isaac Herzog madje sugjeroi një falje të mundshme nëse Netanyahu largohet.

“Asnjë shtet palestinez”

Në përgjigjen e parë për qytetarët e tij, Netanyahu theksoi publikisht se marrëveshja nuk nënkupton njohjen e një shteti palestinez.

“Absolutisht jo. Nuk është as e shkruar në marrëveshje”, tha ai. “Por kemi thënë një gjë – se do t’i rezistojmë me forcë një shteti palestinez.”

Raportimet e mediave izraelite sugjerojnë se kabineti nuk do të votojë për gjithë termat e marrëveshjes, por vetëm për shkëmbimin e pengjeve izraelite me të burgosurit palestinezë.

Llogaritja politike

Pyetja që ngrihet tani është nëse Netanyahu po përpiqet të fitojë kohë përpara zgjedhjeve – të cilat sondazhet parashikojnë se do t’i humbasë – apo nëse po shpreson që Hamas ta refuzojë marrëveshjen, duke e lënë luftën të vazhdojë.

Në konferencën e tensionuar për shtyp në Washington, ai dhe Trump theksuan se Izraeli do të ketë “dorë të lirë” për të “përfunduar punën” nëse Hamas nuk përmbush detyrimet e tij. Kjo e bën marrëveshjen jo fundin e luftës, por çmimin për të siguruar vazhdimësinë e mbështetjes amerikane.

Një lëvizës politik i vjetër në krizë

Netanyahu njihet si mjeshtër i manovrave politike, që shpesh ka zvarritur negociatat apo ka anashkaluar marrëveshjet e armëpushimit për të shmangur fundin e luftërave. Por kësaj here, pamja e tij pranë Trump e bëri të duket më i brishtë se kurrë.

Për herë të parë që nga nisja e konfliktit, duket se pasojat e mospranimit të marrëveshjes ishin më të rënda sesa pasojat e pranimit të saj. Dhe pyetja që shtrohet sot është pse Joe Biden nuk ushtroi të njëjtin presion në një marrëveshje të ngjashme nëntë muaj më parë – kur rreth 30,000 palestinezë më shumë ishin ende gjallë.

Top Channel