
Mes presionit që po rrethon industrinë gjermane, gjiganti ajror i saj, Lufthansa njoftoi planet për të shkurtuar rreth 4,000 vende pune deri në vitin 2030. Shkurtimet do të ndikojnë kryesisht në administratë, jo në “rolet operative”.
Linjat e ndryshme ajrore do të integrohen më ngushtë. Lufthansa, e cila ka 103,000 punonjës, dëshiron të arrijë një fitim operativ prej tetë deri në dhjetë % të të ardhurave në të ardhmen. Deri më tani, vlera e synuar ishte tetë %.
Për të arritur rritjen e planifikuar të të ardhurave, linjat ajrore të ndryshme që janë pjesë e koncernit duhet të unifikohen dhe të menaxhohen më fort në mënyrë të centralizuar.
Përveç markës qendrore Lufthansa, e cila ka disa vështirësi, kompania përfshin edhe Swiss, Austrian, Brussels Airlines, e Lufthansa është gjithashtu aksioner i vogël edhe i kompanisë italiane Ita. Dega me kosto të ulët e Lufthansës, Euroëings, do të forcohet gjithashtu, si dhe departamentet e saj të logjistikës dhe shërbimit dhe mirëmbajtjes së avionëve.
Plani përfshin edhe aktivitet të shtuar në fushën e forcave ajrore, domethënë në mbrojtje. Megjithatë, menaxhmenti duhet së pari të merret me grevën e afërt të pilotëve të pakënaqur me pensionet. Lufthansa i hodhi poshtë kërkesat e grevistëve si të parealizueshme për shkak të kostove.
Më herët edhe furnizuesi më i madh në botë i pjesëve të automjeteve, Bosch, njoftoi se planifikon të shkurtojë rreth 13,000 vende pune në fabrikat e tij në Gjermani, më shumë se sa ishte njoftuar më parë.
Top Channel