
Shoqata Tirana ka një histori 34-vjeçare në promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të qytetit.
Pas një pune 9 mujore për institucioalizimin e shoqatës, u arrit konstituimi i asamblesë, duke hedhur një hap të rëndësishëm në përforcimin e themeleve të misionit të saj, për ruajtjen e historisë, traditës dhe kulturës së Tiranës.
Gjatë punimeve të asamblesë u përzgjodh përmes votës kryetari i asamblesë, Shkëlqim Hajdari, i cili është anëtar i shoqatës që prej vitit 2000.
Falenderues për besimin që iu dha, Hajdari u shpreh se do të jetë zëri i autoktonasve.
“Ju falënderoj për besimin duke më zgjedhur në këtë pozicion shumë dinjitoz dhe fisnik. Fjala ime është një zë kolektiv, i një shtese të tërë tironsish autokton që kanë dhënë gjithçka pa bujë dhe rrallë herë janë vlerësuar për aq sa meritojnë. Tirana ka qenë gjithmonë një nënë e madhe që ka hapur për këdo dyert, ku kanë gjetur strehim të gjithë ata që kërkuan punë dhe studime”, u shpreh Hajdari.
Po ashtu 7 anëtarë të rinj u bënë pjesë e këshillit drejtues të shoqatës, emra të cilët me punën e tyre kontribuojnë për qytetin e Tiranës.
“Sot themi me krenari që shoqata jone ka në gjirin e saj një bashkim të gjitha fiseve tiranase”, tha Ismail Varoshi, sekretar i përgjithshëm i shoqatës Tirana.
Top Channel