Diplomohen 1200 juristë të rinj, në ceremoni mori pjesë edhe ministri i ri i Drejtësisë, Besfort Lamallari

30/09/2025 15:13

1200 juristë të rinj i shtohen Shqipërisë.

Në një ceremoni diplomimi studentët e Fakultetit Juridik të dy viteve të fundit akademike morën ofertën e parë të punës nga ministri i ri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.

“Kjo nuk është one man show. Punët e mira bëhen në grup. Sot jam shumë i nderuar t’iu bëj kërkesën që ti bashkangjiteni përpjekjeve të qeverisë shqiptare në këtë moment deçiziv pranë integrimit në BE: të jeni pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, e sistemit gjyqësor ti shërbejnë vendit me integritet dhe profesionalizëm”, tha Besfort Lamallari, ministër i Drejtësisë.

Nevojën për të rinjtë e arsimuar me integritet në Shqipëri  e theksoi edhe Mirela Kumbaro  në daljen e parë të saj si ministre e arsimit.

“Shqipëria me reformën në drejtësi ka nevojë për juristë të rinj. Nuk ka sektorë që s’ka nevojë për juristë. Sepse është nevoja e forcimit të shtetit së drejtës”, u shpreh, Mirela Kumbaro, ministre e Arsimit.

Për dekanen e Fakultetit Juridik, Dorina Hoxhën ky nuk është thjesht një moment i marrjes së diplomës, por mbi të gjitha i marrjes së përgjegjësive për të plotësuar vakancat e sistemit të drejtësisë me ndershmëri dhe profesionalizëm.

“Ju jeni ata që do të sillni ndryshimin në sallat e gjyqeve, në zyrat e administratës publike, në çdo institucion me mendësinë që ligji të jetë mbi të gjithë”, tha Dorina Hoxha, dekane e Fakultetit Juridik.

 

 

Top Channel