Sylvinho me “dhimbje koke” përpara ndeshjes me Serbinë, sulmuesi që shkëlqeu me gol dhe asist në fundjavë lë fushën i dëmtuar

29/09/2025 09:57

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Arbër Hoxha, ishte protagonisti absolut në pjesën e parë të fitores 4-1 të Dinamos së Zagrebit ndaj Slaven Belupos, duke kontribuar me një gol dhe një asist.

Por ndonëse la gjurmë në fushë, lajmi shqetësues vjen nga dëmtimi i tij, që e detyroi të mos rikthehej në pjesën e dytë.

Në minutën e 41-të, Hoxha realizoi një gol të bukur pas një aksioni individual, duke kaluar Dinamon në avantazh. Dhe vetëm pak minuta më vonë, në kohën shtesë të pjesës së parë, ai dhuroi një asist perfekt për Kulenoviç, i cili dyfishoi rezultatin.

Por surpriza erdhi në fillimin e pjesës së dytë, kur Hoxha nuk u rikthye në fushë. Në vend të tij u aktivizua Mateo Lisica.

Sipas raportimeve të para nga dhoma e zhveshjes së Dinamos, Hoxha kishte ndjerë dhimbje në zonën e aduktorit, dhe për këtë arsye nuk u rrezikua të luante më. Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për një dëmtim të lehtë apo për ndonjë tërheqje më serioze – një kontroll mjekësor do të përcaktojë më shumë në orët në vijim.

Pas ndeshjes, trajneri i Dinamos, Mario Kovaçeviç, komentoi si paraqitjen e Hoxhës, ashtu edhe situatën fizike të tij: “Ai po luan mirë. Kur mbërrita këtu, kishte diskutime nëse do të largohej. Por unë i thashë se do të luante. Ajo që po bën në fushë është pikërisht ajo që pres nga ai. Jam shumë i kënaqur me formën e tij. Shpresoj të mos ketë pësuar ndonjë dëmtim serioz.”

Forma e shkëlqyer e Arbër Hoxhës është një lajm i mirë për trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ndërsa afrimi i ndeshjeve të tetorit në Ligën e Kombeve shton rëndësinë e çdo lojtari në formë. Megjithatë, çdo problem fizik mund të ndikojë në grumbullimin e ardhshëm.

Top Channel