Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga atje, para disa studentëve, Kurti tha se “nuk është problemi i tij” që SHBA-të duan ta shkëpusin Serbinë nga Federata Ruse. Në Kosovë, deklaratat e tilla shihen si të pamatura, kur vetëm para dy javësh, për shkak të veprimeve e deklaratave të kryeministrit në detyrë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërprenë dialogun strategjik me Kosovën.
“Ai do të duhej të reflektonte dhe të punonte në drejtimin që të bashkohej dhe afrohej rreth administratës Trump, duke insistuar që do të përmirësoj veprimet e veta. Të thuash, të deklarosh gjëra të tilla se kinse ndikimi i Rusisë në Serbi nuk është problem i Kosovës, përderisa kufirin Kosovë-Serbi e garantojnë forcat e KFOR-it, pjesë e të cilave janë edhe forcat e SHBA-së, nuk është asgjë tjetër se sa pamaturi e madhe e z. Kurti”, deklaron Magbule Shkodra.
Kurti përsëriti që dallimet kryesore me SHBA-të janë në diplomaci, konkretisht në veprimet e ekzekutivit ndaj strukturave ilegale serbe në veri të Kosovës. Para studentëve të dielën Kurti tha se “s’mund të bëhet kompromis me sundimin e ligjit në veri”.
Sipas analistëve, mos ndryshimi i qëndrimeve të kryeministrit në detyrë, thellon akoma më shumë dallimet me SHBA-të.
“Nuk ka pasur takime të nivelit të lartë me administratën Trump gjë që tregon se nuk ka arritur të afrohet dhe të përafrojë qëndrimet, e posaçërisht këto deklarime vetëm sa e kanë thelluar këtë hendek”, shtoi ajo.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë njoftoi më 12 shtator se ShBA-të kanë ndërprerë për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën, për shkak të deklaratave dhe veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.
Top Channel