Ulet mosha e përdoruesve të drogës, mjekët të shqetësuar: Konsumimi i marijuanës nis që nga fëmijët

28/09/2025 20:17

Numri i përdoruesve të drogës në Shqipëri është rritur, dhe lënda narkotike që përdoret më tepër është marijuana.

Mjekja toksikologe Suela Xhufi, thotë se fatkeqësisht është ulur mosha e përdoruesve të kësaj lloj droge. Interesi për cigaren e hashashit nis që në fëmijëri.

“Nëse para 5-vitesh, cigarja e parë, tekja e parë e alkoolit ishte 11-vjeç, sot kemi pacientë që kanë filluar që moshën 9 vjeçare. Në momentin që një fëmijë fillon që në moshën 9 vjeçare cigaren e pare, patjetër që do të kemi një problem shumë të madh në zhvillimin neurologjik, sepse marijuana ka aftësi të ul inteligjencës.
Kemi një ndryshim të fokusit tek fëmija, jep probleme konjitive, bën shfaqje të sëmundjeve psikiatrike të cilat mund të kenë terren gjenetik, sëmundjet e bipolaritetit, skizofrenia dhe këto i shfaqin më herët. Plus që ka një aftësi që mund të jetë droga e parë e cila të shtyn drejt drograve më të rënda. “

Pas marijuanës, droga e dytë që gjendet lehtësisht në Tiranë është kokaina, ku të rinjtë preferojnë ta konsumojnë në organizime me grupe shoqërore. Këta paciente përveç drogës krijojnë dhe varësi nga alkooli, dhe kjo bëhet për të rritur adrenalinën. Varësia ndaj drogës shkakton probleme të mëdha sociale ekonomike, dhe ata që duan të heqin dorë trokasin tepër vonë në dyert e bluzave të bardha.

“Ka arritur afërsisht fundin kur ka një dëmtim të jetës, mund të kenë filluar të rrinë rrugëve, kanë humbur familjen, punën pra kanë humbur sensin e të qenit individ. Kur ne përdorim drogë nuk është vetëm varësia psikoaktive por edhe dëmtimi multiorganor, pra vendosja e metaleve të rënda në trup. “

Për t’ju rikthyer normaliteti larg varësisë, kërkon kohë, mbështetje dhe vullnet të hekurt.

 

Top Channel