
Kur risitë në Kodin Penal po kundërshtohen nga aktorë të ndryshëm, edhe të burgosurit kërkojnë të bëhen pjesë e grupit të ekspertëve duke përpiluar kundërshtimet e tyre
Në këtë letër të dërguar nga burgu i sigurisë së lartë të Peqinit për Ministrinë e Drejtësisë, draftuesit, çdo palë të interesuar dhe për Top Channel, disa të burgosur kërkojnë që heqja e burgimit të përjetshëm të mos llogaritet pasi të jenë vuajtur 35 vite dënim, por pas 25 viteve.
Por ky nuk është propozimi i vetëm.
“Ne të dënuarit jemi të prekur drejtpërdrejtë nga drafti dhe ndaj kërkojmë që llogaritja e paraburgimit të ndryshohet, konkretisht një ditë paraburgim të ketë vlerën e dy ditëve burgim, ose të lihet siç ka qenë, pasi të barazosh një ditë arrest shtëpie me një ditë paraburgim është absurd dhe fyese. Nuk mund të barazosh anën psikologjike, shpirtërore, fizike të një të paraburgosuri me një që mbahet nën arrest shtëpie shkruhet më tej”, nis kërkesa.
Më tej të burgosurit e Peqinit kërkojnë aplikim të gjysmë lirisë për të gjitha llojet e dënimeve, “aq më tepër” ankohen më tej të dënuarit, “kur shteti modelin më të ashpër siç është “41 biss”, përse të mos aplikojnë dhe anën tjetër të medaljes siç është gjysmë liria”.
Duke u kthyer tek burgimi i përjetshëm të dënuarit kërkojnë përshtatjen e ligjeve sipas standardeve evropiane përderisa në kodin penal të 1997 lirimi me kusht vlerësohej pasi i akuzuari mbushte 25 vite burgosje.
Kjo gjë u rrit në mënyrë drastike duke i shtuar edhe dhjetë vjet të tjera, ankohen të burgosurit që siç mëson gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, në Shqipëri janë 198 të dënuar të përjetshëm.
“Për ju ngelëm gjithmonë kriminelë”, ankohen të burgosurit.
Kërkesa tjetër është ajo e faljes që në draft parashikohet t’i lihet si e drejtë familjarëve të viktimave, të burgosurit kërkojnë që këtë falje dhe tolerancë ta ofrojë shteti. Për këtë duke përmendur librat e shenjtë ata citojnë: nuk ka engjëj në këtë botë mëkatare.
Në këtë kontekst ata kërkojnë një dritë jeshile edhe për rishikimin e vendimeve për të përfshirë rishqyrtimin, pasi sipas tyre reforma në drejtësi tregoi që ka gjyqtarë që kanë dhënë dënime të ashpra dhe të padrejta.
Top Channel