
Revista shkencore ndërkombëtare Polis e Universitetit Europian të Tiranës ka publikuar numrin e saj special dedikuar inovacionit mediatik dhe përafrimit me standardet e Bashkimin Europian.
Botimi i edituar nga Prof. Dr. Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, sjell 8 artikuj analitikë e krahasimorë, me rekomandime konkrete për forcimin e lirisë së medias, demokracisë dhe vetërregullimit në Shqipëri.
“Kjo revistë shkencore nuk është thjesht një produkt universitar që ju drejtohet pedagogëve, studentëve apo specialistëve të fushës. Synimi është që të përcjellë sugjerime për një audiencë më të gjerë. Të ofrojë edhe instrumenta kërkimi që luftojnë dezinformimin, keqkuptimet e shumta me të cilat është mbushur hapësira jonë publike”, u shpreh Budini.
Përmes kërkimit shkencor rreth praktikave novatore në media, ky botim adreson nevojat e shoqërisë shqiptare për procesin e përafrimit të legjislacionit me atë europian, duke kontribuar njëkohësisht në aftësimin e të rinjve gjatë studimeve të tyre dhe duke i përfshirë ata në kërkimin shkencor me anë të ndërtimit të aplikacioneve dhe instrumentave digjitale të vëna në dispozicion të programeve të studimit në fushën e mediave dhe komunikimit kombinuar tashmë edhe me Teknologjinë e Informacionit në ciklin Master.
“Si një kontribut i ri ndërdisiplinar që synon formimin e specializimin e mëtejshëm të studentëve me anë të profilizimit të tyre akademik, shkencor, programeve të dedikuara në gazetarinë e të dhënave, në përpunimin e vizualizimin e të dhënave që janë së fundmi pjesë e integruar e dy programeve tona të studimit në UET”, tha Belina Budini.
Në promovimin e këtyre risive të Departamentit të Komunikimit në ambjentet e Universitetit Europian të Tiranës, mori pjesë edhe kryetarja e Autoritetit të Medias Audiovizive, Armela Krasniqi, e cila vlerësoi rëndësinë e ndërveprimit institucional me atë akademik.
Botime të tilla nuk mbeten vetëm si referenca akademike, por nxisin hapa konkretë drejt integrimit europian, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes kërkimit shkencor, studentëve dhe institucioneve të medias për një hapësirë publike më transparente dhe profesionale.
Top Channel