Gjenerali serb, Nebojsha Pavkoviç, i dënuar për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë, është liruar nga burgu në Finlandë dhe ka shkuar në Serbi, bëri të ditur kryeministri serb, Gjuro Macut.

Pavkoviç, ish-komandant i Ushtrisë së Tretë të Jugosllavisë, me vendim të formës së prerë ishte dënuar me 22 vjet burgim për krime kundër shqiptarëve të Kosovës më 1999.

Macut tha se është plotësuar kërkesa e Qeverisë së Serbisë që Pavkoviçit, “për shkaqe shëndetësore, t’i mundësohet lirimi i parakohshëm”.

Ai shtoi se me këtë “akt konfirmohet se shteti kujdeset për qytetarët e vet dhe se angazhohet për parime humane në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Sipas kryeministrit të Serbisë, Pavkoviç do të vazhdojë trajtimin mjekësor në Serbi.

Lirimin e tij nga burgu e kishte paralajmëruar më herët presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

Pavkoviç u shpall fajtor në vitin 2009 për të gjitha pikat e aktakuzës dhe u dënua për dëbime, zhvendosje të detyruara, vrasje dhe persekutim të civilëve shqiptarë nga Kosova në gjysmën e parë të vitit 1999.

Kundër tij dhe gjeneralëve të tjerë serbë, në fund të vitit 2003 u ngrit aktakuzë nga Tribunali i Hagës, ndërsa në vitin 2005 ai u dorëzua në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Së bashku me të, u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, Dragolub Ojdaniç, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviç, gjenerali i policisë Sreten Llukiç dhe ish-nënkryetari i Qeverisë së Jugosllavisë, Nikolla Shainoviç.

Pavkoviç dhe Llukiç u dënuan me nga 22 vjet burgim, ndërsa Ojdaniç dhe Llazareviç me nga 15 vjet.

I pandehuri i parë, Sllobodan Millosheviç, vdiq në paraburgim, ndërsa ish-presidenti i Serbisë,Millan Millutinoviç , u shpall i pafajshëm.

Të gjithë të akuzuarit u dorëzuan vullnetarisht, ndërsa mekanizmi në Hagë, deri më tani nuk ka njoftuar për lirimin e Pankoviçit.

Në mesin e muajit gusht, avokati Aleksandar Alleksiç, dorëzoi një kërkesë urgjente për lirimin e parakohshëm të Pavkoviçit, duke përmendur si arsye gjendjen shëndetësore.

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, në maj 2022, e kishte refuzuar kërkesën e Pavkoviçit për lirimin e parakohshëm, për shkak të “rëndësisë së madhe të krimeve të tij dhe mungesës së rehabilitimit”.

Top Channel