
Kalaja e Gjirokastrës vazhdon të mbetet destinacioni kryesor kulturor në jug të Shqipërisë, duke regjistruar rritje të ndjeshme të turistëve gjatë vitit 2025.
Fortesa historike, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, është kthyer në një pikë kyçe për turizmin historik dhe kulturor.
Ardis Duka, kreu i Drejtorisë së Kulturës Kombëtare në Gjirokastër thotë: “Për periudhën janar–gusht 2025, Kalaja e Gjirokastrës është vizituar nga rreth 210 mijë vizitorë, një rritje prej 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ose rreth 30 mijë vizitorë më shumë. Site të vizituara janë edhe objektet e kultit si xhamia dhe kisha e pazarit, shtëpitë e Zekatëve dhe Skëndulatëve. Ndërkohë, në rrethina ka vizitorë të shumtë edhe në Labovën e Kryqit dhe sitet arkeologjike si Adrianopoli dhe Antigone, falë edhe zgjerimit të interesit prej promovimit të këtyre siteve.”
Krahas rritjes së fluksit, mbeten të dukshme disa sfida që prekin jo vetëm kalanë, por edhe atraksionet përreth Gjirokastrës. Vizitorët përballen me mungesë shtigjesh të dedikuara për eksplorim, nevojë për guida në gjuhë të ndryshme, sinjalistikë të përditësuar si dhe shërbime mbështetëse si transport publik, hapësira pushimi, pika informacioni që do ta bënin përvojën turistike më të plotë dhe më të aksesueshme.
Në këtë kuadër, ekspertët theksojnë se nuk kanë rëndësi vetëm shifrat e vizitorëve, por edhe zgjerimi i hartës së monumenteve që përfshihen në itineraret turistike.
Në qarkun e Gjirokastrës ka ende zona pak të eksploruara me kisha, ura dhe rrugë antike që nuk janë pjesë e itinerarëve kryesorë të turizmit.
Përfshirja e tyre do të sillte më shumë të ardhura për komunitetet lokale dhe do të diversifikonte ofertën kulturore e natyrore. Qarku i Gjirokastrës numëron mbi 500 monumente kulture dhe natyre me një potencial të jashtëzakonshëm për turizëm, shumica e të cilave mbeten ende të pamenaxhuara.
Top Channel