
Nga Aladin Stafa
Nuk ka pak javë që Kryeministri Rama prezantoi ekipin e tij të ministrave për mandatin e katërt të qeverisjes së tij, me 17 Ministri. Të shumta ishin reagimet që mbushën tabloidët brenda dhe jashtë vendit për secilin emër, deri sa mbërriti surpriza për një prej të cilave.
Një ministri, sic nuk ka ndodhur ndonjëherë. Një ministri virtuale, jehona e së cilës, i kaloi kufijtë e Shqipërië.
E para në llojin e saj, Diella, kjo ministre e shtetit për Inteligjencën Artificiale u cilësua nga shumë media të huaja si një kapërcim historik- një pararojë dixhitale e programuar për të trajtuar prokurimet publike larg interesave politike apo dhe shoqërore.
Prej dekadash, vendi ynë ka vuajtur gjatë nga skandalet dhe nepotizmat, andaj Diella, mund të shihet si një simbolikë e fuqishme në refuzimin e kësaj kulture. Mbi të gjitha sepse teorikisht atë nuk arrin dot as ta korruptosh dhe as ta kërcënosh dot.
Ajo premton drejtësi, transparencë dhe efikasitet në mbarëvajtjen e cështjeve të shtetit. Gjithmonë aty 24/7, Diella një robot i palodhur, ku i vetmi element që e përafron me njerëzoren është emri. Në një vend ku besimi tek institucionet është tejet i brishtë, Diella në parim rezonon një qasje pozitive. Për më tepër, figura e saj është një vitrinë prove për BE -në dhe më gjerë në botë se Shqipëria është shumë serioze përsa i përket përqafimit të së resë dhe zhvillimeve teknologjike.
Por ashtu si dhe thotë shkrimtari irlandez Oscar Wilde, se dyshimi është vetëm fillimi e jo fundi i diturisë, do të duhet të ngremë vazhdimisht pikëpyetje derisa të shkojmë tek e vërteta.
Një prej tyre, p.sh., mund të jetë dhe kjo; a është e mundur të parandalohet korrupsioni përmes kodimit? Ose dhe ndonjë tjetër si p.sh., Diellën mund ta perceptojmë si inovacion apo iluzion? Apo është thjesht një eksperiment i rradhës drejt një teknokracie nisur pikërisht nga ne?
Bota ku jetojmë po na afron gjithmonë e më shumë me teknologjinë dhe ndikimi i saj nuk mund të mos arrinte deri në politikën e ditës, me të cilën shtetet veprojnë. Njerëzit, në fusha të ndryshme, po zgjedhin t‘i besojnë asaj e të bashkëveprojnë me të më lehtë se me njëri-tjetrin. Thënë kjo, nuk do të ishte aspak e largët dita kur AI të na servirte edhe për të ngrënë. Ndaj është kjo një arsye përse Diella është e pashmangshme. Dhe mjaftueshëm e pranueshme.
Padyshim teknologjia mund të kufizojë ndërhyrjet në prokurim por asesi nuk mundet ajo të largojë presionet politike, lobimin apo dhe manipulimin. Nëse Diella ngrihet me të njëjtat të dhëna nga praktikat e meparshme, vetëm atëherë “neutraliteti“ i vendimeve të saj mund të vihej në pikëpyetje. E vërteta është se qytetarët edhe për pak kohë mund të hasin vështirësi në kuptimin e saj por realiteti që ajo është prezent tanimë ka peshë më të madhe.
Një prezencë që shton mjaft pikëpyetje mbi llogaridhënien si dukuri e cila pritet të mbetet gjithashtu një cështje ambigue. Sepse nëse për dikasteret e tjerë, njerëzit janë përgjegjës- kush mund t‘i dalë në mbrojtje Diellës në rastin e një gabimi?
AI mund të përmirësojë funksionimin, madje edhe menaxhimin e punëve por asesi nuk mund të zëvëndësojë plotësisht dimensionet njerëzore dhe etike.
Gjithsesi, përtej cdo fakti ose dyshimi, Diella i kapërcen kufijtë e teknikalitetit. Ajo është një gjetje perfekte në botën tonë dixhitale. Ne duhet të cmojmë që të nesërmen pas shfaqjes së saj, tabloidë botërore hapën faqet e tyre me kryefjalën ‘Shqipëri‘.
Një fushatë elektrizuese marketing-u, të cilën Shqipëria e ka aq të nevojshme në rrugën drejt rritjes, zhvillimit e aspiratës për t‘u bërë pjesë e klubit europian. Diella e luajti rolin e saj me sukses dhe me meritë.
Edhe pse e veshur tradicionalisht duke përfaqsuar denjësisht kulturën tonë, ajo u duk më moderne se gjithë portretet fizikë të liderëve europianë. Interesante në sytë e botës, ngacmoi tek opinioni publik sa sarkazëm aq edhe kuriozitet.
Dhe beteja u fitua. Të paktën tej kufirit. Dhe ky është një perceptim i pakontestueshëm.
Nëse përpiqemi të shkojmë drejt një të vërtete absolute, ajo nuk do të arrihet asnjëherë. Ajo absolutja nuk ekziston. Surprizat do të pasojnë njëra-tjetrën, ndërsa jeta ecën normalisht. Ndaj dhe për këtë arsye gjithmonë merr jetë shprehja e vjetër ‘asgjë e re nën Diell‘. Por një gjë nuk e mohojmë dot, Diella është vetëm një hap i pare i ballafaqimit tonë me të ardhmen.
Pranimi i saj mbetet zgjidhja e vetme për të ecur vetëm përpara.
Top Channel