Vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë/ Makina në mes të rrugës dhe njolla gjaku, çfarë u gjet në vendin e ngjarjes, ekipet hetimore…

27/09/2025 10:59

Ekipi hetimor po vijon punën në vendin ku u gjet i vrarë biznesmeni italian.

Siç shihet nga pamjet e siguruara nga Top Channel, makina ka mbetur në mes të rrugës, teksa vendi është rrethuar nga policia.

Ekipi mjeko-ligjor po merr të gjitha materialet e nevojshme, të cilat do të hedhin dritë mbi vrasjen e 44-vjeçarit.

Shumë pranë makinës u konstatuan njolla gjaku, të cilat i përkasin viktimës.

Nga ana tjetër u sekuestrua edhe një makinë, e cila dyshohet se i përket autorit të ngjarjes.

Biznesmeni italian Edoardo Sarchi kishte dalë për gjah, e më pas u gjet i vrarë në qytetin e Tepelenës.

44-vjeçari prej 25 vitesh jetonte në lagjen “Laprak”, Tiranë, dhe është ortak në një fabrikë tullash.

Viktima ka vetëm një plagë. Policia ka shoqëruar në komisariat personat që kanë qenë me të.

Ata po merren në pyetje në lidhje me këtë vrasje, për të zbuluar më tepër detaje.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas mesnatës në fshatin Salari të Tepelenë. Sarchi ndodhej në zonën mes fshatrave Nivicë dhe Salari, së bashku me disa persona të tjerë.

Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, trupi i pajetë i shtetasit italian është gjetur rreth orës 00:30, pranë një rruge rurale.

Shërbimet e Policisë janë njoftuar menjëherë dhe kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimet paraprake.

Top Channel