Shtatore për Petrit Rukën/ Poeti që lartësoi me vargje Tepelenën, nderohet nga miq të artit dhe letrave

27/09/2025 20:07

Në zemër të qytetit ku lindi dhe u rrit, u vendos shtatorja e poetit të ndjerë Petrit Ruka.

Ceremonia u organizua në sheshin “Lord Bajron” në Tepelenë, ndërsa shtatorja me një vlerë prej 3.5 milionë lekësh, u realizua falë nismës së dy të rinjve tepelenas dhe kontributit të banorëve dhe dashamirësve të artit të Rukës.

Miq dhe kolegë të artit dhe letrave nderuan kujtimin e poetit, që mbeti gjithmonë i lidhur me Tepelenën, peizazhin e lumit Vjosë dhe figurat e njerëzve të thjeshtë, që gjenin gjithmonë vend në vargjet e tij.

Për tepelenasit, ky monument është një kujtesë e gjallë për qytetin dhe brezat që do të vijnë, duke e mbajtur të gjallë kujtimin e një prej bijve më të shquar të Tepelenës.

Petrit Ruka  u nda nga jeta në korrik të vitit 2021 në moshën 67 vjeçare. Ai ishte poet, regjisor, skenarist i filmit artistik, dokumentar e vizatimor por studiuesit e veprës së tij besojnë se kontributi që e ka bërë atë unik ishte poezia.

Poezitë e tij për Naimin, atdheun, plagët e emigrimit, familjen, prindërit, dashurinë janë vlerësuar mes kulmeve të poezisë dhe identitetit shqiptar.

Top Channel