Princi William: Viti 2024 ishte viti më i vështirë i jetës sime

27/09/2025 08:38

Princi i Uellsit e ka përshkruar vitin 2024 si “vitin më të vështirë” të jetës së tij në një rrëfim personal për Eugene Levy, duke zbuluar se si familja e tij është vënë në provë nga problemet shëndetësore me të cilat janë përballur si gruaja e tij, Princesha e Uellsit Kate Middleton, ashtu edhe babai i tij, Mbreti Charles.

William foli në emisionin e tij në Apple TV+ The Reluctant Traveler With Eugene Levy, i cili do të transmetohet më 3 tetor. “Do të thoja se viti 2024 ishte viti më i vështirë që kam kaluar ndonjëherë. Jeta na vë në provë dhe të qenit në gjendje ta kalojmë atë është ajo që na përcakton”, tha ai.

Në të njëjtin episod, Levy, 78 vjeç, pranoi një ftesë të veçantë nga princi për të vizituar Kështjellën Windsor. Në klipin e shfaqur, aktori lexon letrën e William: “Dëgjova se udhëtimet tuaja ju kanë sjellë në Mbretërinë e Bashkuar dhe po pyesja veten nëse do të dëshironit të shihnit Kështjellën Windsor. Nëse jeni i lirë në orën 10 nesër, pse të mos ndaloni për një tur privat? Do të ishte shumë mirë t’ju shihja!”

Gjatë takimit, Levy e pyeti princin se çfarë bën kur është në shtëpi. William, me një buzëqeshje, u përgjigj: “Unë fle. Kur ke tre fëmijë të vegjël, gjumi është një pjesë e rëndësishme e jetës sime.”

Top Channel