Kush e vrau biznesmenin italian në Tepelenë? Shoqërohet në komisariat ortaku i tij, së bashku me të birin

27/09/2025 12:44

Ende nuk ka një autor për vrasjen e biznesmenit italian në Tepelenë, teksa ortaku i tij Eqrem Braçi është shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje.

Së bashku me të është shoqëruar në polici edhe i biri, Gazment Braçi për të zbuluar më tepër detaje dhe për të hedhur dritë mbi atë çfarë mund të ketë ndodhur.

Biznesmeni italian Edoardo Sarchi kishte dalë për gjah, e më pas u gjet i vrarë në qytetin e Tepelenës.

44-vjeçari prej 25 vitesh jetonte në lagjen “Laprak”, Tiranë, dhe është ortak në një fabrikë tullash. Viktima ka vetëm një plagë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas mesnatës në fshatin Salari të Tepelenë. Sarchi ndodhej në zonën mes fshatrave Nivicë dhe Salari, së bashku me disa persona të tjerë.

Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, trupi i pajetë i shtetasit italian është gjetur rreth orës 00:30, pranë një rruge rurale.

Shërbimet e Policisë janë njoftuar menjëherë dhe kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimet paraprake.

 

Top Channel