
Amfiteatri Antik i Durrësit u kthye mbrëmjen e kaluar në një skenë të artit fotografik dhe muzikës me aktivitetin mbyllës të ekspozitës “Glance off It – Sguardo Laterale” të fotografit italian Fabrizio Loiacono.
Gjatë muajit shtator, fotografi ekspozoi në Hamamin Mesjetar 16 fotografi abstrakte, që shpalosin bukurinë e objekteve të zakonshme përmes një këndvështrimi të ri, ndryshe.
Fotografi Fabrizio Loiacono shprehet i emocionuar për këtë ekspozitë: Instinkti është në themel të punës time kreative. Është zjarri që ndez çdo imazh. Jam i vlerësuar nga moria e turistëve dhe qytetarëve durrsakë që e kanë ndjekur ekspozitën.”
Autori i ekspozitës u shpreh i emocionuar nga mikpritja dhe vëmendja që publiku vendas i kushtoi punës së tij, duke thënë se së shpejti do të kthehet me një tjetër projekt.
Fotografitë e ekspozuara në Amfiteatër u shoqëruan edhe me tingujt e violinës së Olen Çezarit, i cili nuk ngurroi të ngrinte shqetësimin për gjendjen e monumentit historik.
“Kemi një perlë këtu dhe nuk dimë ta shfrytëzojmë. Kjo perla është ai magneti që thith të gjithë turistët. Ka ngelur ashtu siç ka qenë…”, tha Çezari.
Ekspozita bashkoi fotografinë dhe muzikën, duke sjellë një përjetim ndryshe për publikun durrsak dhe italian në një nga monumentet më të rëndësishme të qytetit bregdetar.
Top Channel