
Qyteti i Shkodrës, përveç vlerave historike, shoqërore e ekonomike, ruan me krenari edhe trashëgiminë shpirtërore, ku një vend të veçantë zë ceremonia e dasmës shkodrane me gjithë ritualet e saj.
Pikërisht për këtë arsye, në Muzeun Historik të qytetit u organizua aktiviteti “Dita e Pajes”, ku u sollën me detaje traditat e përgatitjeve që nisnin një ditë para dasmës.
Ky rikthim pas në kohë, tek zakonet e bukura, emocionoi edhe vetë shkodranët që i kanë përjetuar këto momente dekada më parë.
Magjia e dasmës shkodrane tërhoqi vëmendjen edhe të vizitorëve të huaj, të cilët, pavarësisht se është fund shtatori, janë të shumtë në Shkodër.
Një turist francez shprehet: “Janë veshje shumë të veçanta, të gjeneratave të ndryshme. Kjo shtëpi-muze është gjithashtu shumë e rrallë dhe ceremonia e dasmës është krejt ndryshe nga sa kam parë. Për ne të huajt është interesante në çdo detaj, që nga dhëndri e nusja deri tek muzika.”
“‘Dita e Pajes’ dëshmoi se dasma shkodrane mbetet një simbol i veçante i trashëgimisë kulturore, që bashkon të shkuarën e Shkodrës me të sotmen.
Top Channel