“Zjarrr… duhen nesër me firmë”/ Zbulohen mesazhet që ‘fundosën’ Erion Isain në hetimet e SPAK

26/09/2025 14:00

Kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK, në kuadër të një hetimi që lidhet me shkelje në tendera publikë dhe falsifikim të projekteve infrastrukturore.

Dosja është ndjekur nga prokurori Dritan Prençi dhe përfshin dy tendera kryesorë: një për ndërtimin e një ujësjellësi dhe një tjetër për ndërtimin e rrugës Korçë–Ersekë, për të cilën dyshohet se është manipuluar dokumentacioni teknik, me qëllim përfitime të paligjshme.

Përveç Isait, në këtë çështje janë marrë në procedim penal edhe 7 persona të tjerë, përfshirë administratorë të shoqërive private të angazhuara në projektet e tenderuara nga Bashkia Kolonjë. Dyshohet se procedurat e prokurimit janë paracaktuar dhe favorizuar, duke i sjellë përfitime të padrejta operatorëve të lidhur me zyrtarët vendorë.

SPAK ka sekuestruar komunikime përmes aplikacionit WhatsApp midis Erion Isait dhe Entela Çanos, administratore e kompanisë “A & E Engineering”. Nga mesazhet, duket qartë një bashkëpunim për të ndryshuar parametrat tekniko-financiarë të projekteve, me qëllim që ato të përshtateshin sipas kërkesave të kryebashkiakut apo të favorizonin palë të caktuara.

Ja disa prej komunikimeve të zbuluara nga hetimet:

Në orën 10:05, shtetasi Erion Isai i dërgon mesazh Entela Çanos:

“Miremengjes, shifi pak këto: Po 110 max ose 90 i jep zgjidhje thuj enteles. Vetem rrjeti jashtëm deri depo fi 250 ne 20 bar eshte 18755 ml X 6793 leke = 127402715 pa tvsh kurse pesari fi 200 me gjatësi 1880 X 4747 leke = 8924360 leke.”

Në orën 10:06, Entela Çano i dërgon mesazh: “Miremengjes, ok. Mi dërgo. Ok te njëjtën gje po bejem edhe ne, reduktim parametrash”.

Në orën 10:08, Erion Isai i dërgon mesazh:

“Sa më shpejt s plis…”

Në orën 10:09, Entela Çano i dërgon mesazh:

“Ok… pa merak… Pa problem.”

Në orën 14:57, Erion Isai i përcjell mesazhin:

“Me duhet lista me emrat e fshatarëve dhe vendet për çdo fshat vella. Një zjarri te lutesh…”

Në orën 15:01, Erion Isai i dërgon mesazh:

“Ju vell…!”

Në orën 21:22, Erion Isai i shkruan përsëri Entela Çanos:

“Te ndonje fshati? Te ndonje fshati?”

Në orën 21:24, Erion Isai i dërgon mesazh:

“330 Eshtë max.”

Në orën 21:25, Entela Çano i dërgon mesazh:

“Shqyr…?”

Në orën 21:28, Erion Isai i dërgon mesazh:

“Pls… zjarrrr… Se neser duhet me i printu t’i vulos ktu te Une Te premte mengjes heret. Duhen dorezu.”

Në orën 21:29, Entela Çano i dërgon mesazh:

“Do bëj më të mirën e mundshme… mendoj që do t’i jem korrekte…por jam sforcuar shumë për te kapur vleren..”

Në orën 21:29, Erion Isai i dërgon mesazh:

“Ishte teeepeeeeee e larte”

Në orën 21:30, Entela Çano i dërgon mesazh:

“Me 5 aspra tha ai do verë të mirë miku…shprehje gjermane.”

Top Channel