U dënua me pesë vite, ish-presidenti Sarkozi do të vuajë dënimin në një burg në Paris

26/09/2025 16:42

Mediat franceze raportojnë se Nicolas Sarkozy pritet të vuajë dënimin në një burg në arrondissementin e 14-të të Parisit.

Ish-presidenti francez, i cili u dënua të enjten me pesë vjet burg – tre prej të cilëve të ekzekutueshëm – për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal në lidhje me financimin e paligjshëm të fushatës së tij zgjedhore të vitit 2007 nga regjimi i Muammar Gadafit, do të mësojë më 13 tetor datën e fillimit të vuajtjes së dënimit.

Sipas ligjit francez, ai mund të qëndrojë jashtë burgut për një periudhë maksimale prej katër muajsh pas datës së njoftimit të hyrjes në burg.

Nëse raportimet gazetareske konfirmohen, Sarkozy pritet të qëndrojë në një qeli prej 9 metrash katrorë, e cila, si të gjitha qelitë e tjera, do të jetë e pajisur me tualet, frigorifer dhe televizor. Ai mund të qëndrojë i izoluar deri në 23 orë në ditë.

Pas vendimit të djeshëm të gjykatës, avokati i Sarkozy-t, Jean-Michel Darois, si edhe figura të afërta politike me të, e cilësuan këtë vendim si të padrejtë, duke sugjeruar se bëhet fjalë për një rast të persekutimit politik.

Disa nga mbështetësit e tij shpresojnë se presidenti Emmanuel Macron mund të ushtrojë të drejtën për të falur të dënuarit, por avokati i Sarkozy-t theksoi se kjo nuk është në plan, pasi ish-presidenti dëshiron të provojë pafajësinë e tij në rrugë ligjore.

Megjithatë, pas nisjes së vuajtjes së dënimit, Sarkozy ka të drejtë të kërkojë lirimin nga burgu dhe vendosjen në arrest shtëpiak, nën mbikëqyrje elektronike përmes një byzylyku të posaçëm.

Top Channel