
Shtëpia e Bardhë po mbështet një plan të ri për krijimin e një autoriteti ndërkombëtar kalimtar në Rripin e Gazës, i cili do të drejtohej nga ish-kryeministri britanik Tony Blair, raportojnë mediat izraelite.
Plani, që është modeluar sipas administratave të përkohshme në Timor-Leste dhe Kosovë, parashikon që Blair të marrë rolin e autoritetit më të lartë politik dhe ligjor në Gaza për një periudhë deri në pesë vjet.
Ky autoritet i ri do të quhet Gaza International Transitional Authority (GITA) dhe fillimisht do të ketë selinë në El-Arish të Egjiptit, me synimin që më pas të vendoset në vetë Gazën, i shoqëruar nga një forcë shumëkombëshe me mandat të Kombeve të Bashkuara, e përbërë kryesisht nga shtete arabe.
Plani, i cili duket se përjashton në fazën fillestare Autoritetin Palestinez (PA), parashikon që në një moment të mëvonshëm të realizohet “bashkimi i të gjitha territoreve palestineze nën PA-në”. Ndryshe nga propozimet e mëhershme të administratës Trump për zhvillimin e Gazës si një “Riviera” që mund të çonte në dëbimin e popullsisë vendase, ky plan garanton që palestinezët nuk do të detyrohen të largohen nga territori.
Nëse miratohet, Tony Blair do të udhëheqë një sekretariat me deri në 25 persona dhe do të kryesojë një bord prej 7 anëtarësh që do të mbikëqyrë një organ ekzekutiv të përkohshëm për qeverisjen e Gazës, transmeton The Guardian.
Por emërimi i Blair shihet si kontrovers. Ai është i përçmuar nga shumë palestinezë për rolin e tij si i dërguar për Lindjen e Mesme pas largimit nga posti i kryeministrit në vitin 2007, si dhe për mbështetjen që i dha pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003.
Disa diplomatë perëndimorë kanë theksuar se nuk është vendosur ende përfundimisht që Blair të udhëheqë këtë administratë dhe se mandati i saj mund të zgjasë vetëm dy vjet. Gjithashtu, ata lidhin zbatimin e këtij plani me arritjen e një marrëveshjeje të plotë për armëpushim dhe lirimin e pengjeve.
Lajmi për këtë plan erdhi disa ditë pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një propozim tjetër, të njohur si Deklarata e New York-ut, që parashikon një administratë teknokrate për një periudhë njëvjeçare, me kalim të garantuar të pushtetit tek një Autoritet Palestinez i reformuar dhe i dalë nga zgjedhjet e reja presidenciale dhe parlamentare.
Mungesa e një afati të qartë për kalimin e pushtetit te PA-ja nën planin amerikan shihet si pengesa kryesore për pranimin e tij nga liderët arabë dhe vetë palestinezët. Megjithatë, prania e Blair dhe mosangazhimi i menjëhershëm i PA-së duket se përbëjnë një garanci për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Sipas raportimeve, një version i gjerë i këtij plani është paraqitur nga Donald Trump në një takim në New York me liderë kryesorë të botës arabe dhe islame, përfshirë Emirin e Katarit, ministrin e jashtëm saudit, mbretin e Jordanisë, presidentin e Indonezisë dhe presidentin turk Erdogan. Trump e përshkroi takimin si të suksesshëm dhe tha se “jemi afër për të arritur një marrëveshje”.
Nga ana tjetër, presidenti francez Emmanuel Macron po përpiqet të ndërmjetësojë mes dy propozimeve, në një përpjekje për të shmangur një ndarje të mëtejshme të qëndrimeve ndërkombëtare. Shtetet arabe kanë deklaruar se do të marrin pjesë në një forcë paqeruajtëse të OKB-së vetëm nëse ka një afat të qartë për krijimin e një shteti palestinez, duke paralajmëruar se plani i Blair mund të shihet si një “okupim i butë”, ndryshe nga ai i drejtpërdrejtë i Izraelit.
Bordi drejtues i GITA-s pritet të ketë 7 deri në 10 anëtarë, përfshirë të paktën një përfaqësues palestinez, një zyrtar të lartë të OKB-së, figura ndërkombëtare me përvojë ekzekutive dhe përfaqësim të fortë të vendeve myslimane.
Komisionerë të veçantë do të mbikëqyrin çështjet humanitare, rindërtimin, sigurinë, ligjin dhe koordinimin me Autoritetin Palestinez. Komisioneri për çështjet humanitare do të koordinojë gjithashtu me agjencitë ndërkombëtare të ndihmës, përfshirë Fondacionin Humanitar të Gazës – një strukturë që shumë shtete arabe dhe organizata humanitare kërkojnë të shpërbëhet.
Top Channel