Shitja e TikTok në SHBA/ Trump jep dritën jeshile, por marrëveshja mbetet pezull

26/09/2025 08:39

Me një urdhër ekzekutiv të nënshkruar të enjten, Presidenti Trump i hapi rrugë një marrëveshjeje që parashikon shitjen e TikTok në SHBA te disa kompani dhe investitorë amerikanë.

Ky urdhër është një hap i rëndësishëm procedurial drejt përfundimit të marrëveshjes, por ajo ende nuk është mbyllur. Edhe pse zyrtarët amerikanë dhe ata kinezë kanë sinjalizuar dakordësi për kornizën e marrëveshjes, ajo pritet të kërkojë ende miratime rregullatore nga të dy vendet. Lista e plotë e investitorëve që marrin pjesë në marrëveshje nuk është bërë ende publike.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Trump tha se udhëheqësi kinez Xi Jinping i kishte dhënë miratimin për marrëveshjen dhe se ai ishte i sigurt që ajo do të përfundonte.

“Pata një bisedë shumë të mirë me Presidentin Xi,” tha Trump, duke iu referuar një telefonate të premten mes tyre. “Folëm për TikTok dhe çështje të tjera, por për TikTok ai na dha dritën jeshile.”

Pekini nuk e ka konfirmuar publikisht miratimin e Xi-t, dhe as nuk ka dhënë përditësime për ecurinë e marrëveshjes që nga raundi i fundit i bisedimeve tregtare me SHBA-në në Madrid javën e kaluar, ku zyrtarët kinezë thanë se kishin arritur një “konsensus të përgjithshëm për kornizën” e marrëveshjes.

Urdhri ekzekutiv i së enjtes përcakton se marrëveshja përbën një shitje të kualifikuar sipas ligjit të ri që ose ndalon aplikacionin ose e detyron të shitet, ligj që u miratua me mbështetje të fortë dypartiake vitin e kaluar. Ky ligj, që hyri në fuqi në janar, ndalon TikTok-un në SHBA nëse kompania mëmë, ByteDance, nuk shet rreth 80% të aseteve të saj amerikane te investitorë jo-kinezë. Trump e ka shtyrë disa herë zbatimin e ligjit.

“Kam përcaktuar që kjo shitje e propozuar do t’u mundësojë miliona amerikanëve që përdorin TikTok çdo ditë të vazhdojnë ta përdorin, duke mbrojtur njëkohësisht sigurinë kombëtare,” thuhet në urdhërin ekzekutiv. Ai gjithashtu shton se marrëveshja për transferimin e kontrollit të aseteve të TikTok në SHBA do të përfshijë edhe platformat e tjera të njohura të ByteDance, si Lemon8 dhe CapCut.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha të hënën se pritet që Trump ta zgjasë edhe me 120 ditë të tjera pezullimin e zbatimit të ligjit, në mënyrë që të përfundojnë dokumentacionet dhe miratimet rregullatore të marrëveshjes. Së fundmi, Trump e kishte shtyrë afatin deri më 16 dhjetor — që do të thotë se, nëse marrëveshja përfundon, transferimi zyrtar i aseteve të TikTok do të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm.

ByteDance gjithashtu pritet të nënshkruajë këtë javë një marrëveshje që përcakton kornizën e marrëveshjes me një ose më shumë nga investitorët e rinj.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, marrëveshja do t’i kalojë kontrollin mbi operacionet e TikTok në SHBA dhe një kopje të algoritmit, një ndër komponentët më të diskutueshëm, një sipërmarrjeje të përbashkët me bazë në SHBA. Kjo kompani do të përbëhet nga investitorë amerikanë në shumicë — përfshirë Oracle dhe ndoshta firmën e kapitalit privat Silver Lake, CEO-n e Dell-it, Michael Dell, dhe Fox Corp. të Lachlan Murdoch — dhe do të drejtohet nga një bord drejtues me shumicë amerikanë. ByteDance pritet të ruajë një pjesëmarrje jo më të madhe se 20%.

Oracle do të mbikëqyrë algoritmin e aplikacionit, si dhe çështjet e të dhënave dhe privatësisë, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Pekini ka këmbëngulur që marrëveshja të jetë në përputhje me ligjet dhe rregulloret kineze, të cilat e kanë vendosur algoritmin e TikTok nën kontrolle eksporti. Zyrtarët dhe këshilltarët qeveritarë kinezë kanë sugjeruar se në vend që të shitet algoritmi, ByteDance mund ta licencojë teknologjinë për sipërmarrjen e re amerikane, pasi të marrë miratim për eksport nga qeveria kineze.

Sipërmarrja e përbashkët me bazë në SHBA pritet të ketë një vlerë rreth 14 miliardë dollarë, tha nënpresidenti JD Vance gjatë nënshkrimit të urdhrit ekzekutiv të enjten. Asetet e TikTok në SHBA më parë ishin vlerësuar ndërmjet 20 deri në 100 miliardë dollarë, në varësi të përfshirjes së aksesit në algoritëm.

Megjithatë, mbeten ende shumë pyetje të hapura për marrëveshjen, përfshirë nëse përdoruesit amerikanë do të duhet të shkarkojnë një aplikacion të veçantë të TikTok për SHBA-në pasi marrëveshja të përfundojë. Dhe ndonëse marrëveshja pritet të ruajë aksesin për 170 milionë përdorues amerikanë, disa kanë filluar të shprehin shqetësime për algoritmin e TikTok — i cili përcakton se çfarë shikon çdo përdorues — që do të kontrollohet nga një grup investitorësh ku përfshihen edhe aleatë të Trump-it.

Ndërsa Trump deklaroi të enjten se do të donte që algoritmi i TikTok të ishte “100% MAGA,” si ai ashtu edhe Vance u përpoqën të zbusin shqetësimet se pronësia e re e aplikacionit do të shtyjë një perspektivë të caktuar politike.

Kjo marrëveshje pritet të hapë rrugën për takimin e parë ballë për ballë mes Trump dhe Xi që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë. Dy liderët diskutuan për marrëveshjen e TikTok në telefon të premten dhe pritet të takohen muajin e ardhshëm në Samitin e APEC në Korenë e Jugut.

Top Channel