
Autoritetet në Bolzano, në Italinë veriore , kanë propozuar një tarifë prej 1.50 eurosh për natë për qentë që vizitojnë provincën dhe një tarifë prej 100 eurosh në vit për qen për pronarët e qenve që jetojnë në zonë.
Nëse masa miratohet nga këshilli provincial, një pjesë e të ardhurave do të përdoret për të pastruar mbeturinat e qenve në rrugë, raporton Guardian.
Kjo vjen pas një politike të dështuar të zbatuar vitin e kaluar që kërkonte që qentë t’i nënshtroheshin testeve të ADN-së për të identifikuar ata që ishin përgjegjës për jashtëqitjet e tyre.
Pronarëve të qenve u kërkohej t’i nënshtronin kafshët e tyre shtëpiake një testi prej 65 eurosh, rezultatet e të cilit u shtuan në një bazë të dhënash. Vetëm një numër i vogël pronarësh e zbatuan.
Louis Valcher, këshilltari që nxiti masën tatimore, i tha medias italiane se taksa e propozuar ishte e drejtë sepse “i përket ekskluzivisht pronarëve të qenve” dhe se përndryshe i gjithë komuniteti do të duhej të mbante koston e jashtëqitjeve të qenve.
Ai shpreson që masa, e cila do të financojë gjithashtu parqe të reja për qen, do të hyjë në fuqi nga viti 2026. Megjithatë, propozimi nuk është pritur me entuziazëm, veçanërisht në dritën e politikave miqësore ndaj qenve të futura në pjesë të tjera të Italisë.
Veçanërisht, aeroporti Fiumicino i Romës hapi këtë javë një hotel luksoz të projektuar për t’u ofruar qenve një vend të rehatshëm për të qëndruar ndërsa pronarët e tyre udhëtojnë. Në të njëjtën kohë, ITA, linja ajrore kryesore e Italisë, ka lejuar qentë e mëdhenj dhe të mesëm të udhëtojnë në kabinë.
Top Channel