
Klubi i Liverpool-it ka nderuar Diogo Jotën në mënyrën më dinjitoze të mundshme, duke i dhënë familjes së tij të gjithë shumën e mbetur të kontratës, prej 14.5 milionë paundësh, pas vdekjes tragjike të futbollistit.
Jota, i cili ndodhej në kulmin e karrierës, humbi jetën në një aksident automobilistik në korrik, së bashku me vëllain e tij, Andre Silva. Ai la pas bashkëshorten, Rute Cardoso, dhe tre fëmijët e tyre të vegjël.
Kontrata do të respektohet deri në fund – një veprim që nuk është “normë” në futboll
Futbollisti portugez kishte një pagë javore rreth 140,000 paund dhe dy vite të mbetura nga kontrata që do të përfundonte në vitin 2027. Megjithatë, pronarët e klubit, Fenway Sports Group (FSG), vendosën ta nderojnë marrëveshjen deri në fund.
Trajneri i Liverpool-it, Arne Slot, e quajti këtë vendim të jashtëzakonshëm: “Ndoshta njerëzit mendojnë se kjo është normale, por nuk është e zakonshme në botën e futbollit.
Pronarët shpesh kritikohen, si trajnerët, por mënyra si e kanë menaxhuar këtë situatë është e jashtëzakonshme.
I kanë dhënë gruas dhe fëmijëve të Jotës të gjithë shumën e kontratës,” u shpreh Slot për TNT Sports.
Në vazhdën e tragjedisë, Liverpool ndërmori një valë të madhe blerjesh, duke shpenzuar rreth 426 milionë paund, përfshirë afrimin e sulmuesve Hugo Ekitike dhe Alexander Isak, në një merkato që u ndikua drejtpërdrejt nga nevoja për të zëvendësuar Jotën.
Slot përshkroi emocione të forta gjatë javëve të zisë: “Dhimbja që përjetoi qyteti, mënyra si reaguan tifozët, lulet, memorialet – ishte e pabesueshme.
Ka momente kur mendoj: ‘Si ndihen tani gruaja dhe fëmijët e tij?’.”
Në një veprim simbolik, klubi ka tërhequr përjetësisht fanellën me numrin 20, që mbante Jota, ndërsa kryetari i klubit, Tom Werner, e përshkroi futbollistin si një njeri të jashtëzakonshëm: “Nuk ishte i dashur vetëm sepse shënonte gola – ishte i dashur sepse ishte sinqerisht një njeri i mirë.”
Përtej rivalitetit sportiv, edhe lojtarët e Chelsea-t dhuruan një pjesë të madhe të shpërblimit prej 11.4 milionë paundësh nga Kupa e Botës për Klube, në ndihmë të familjes së Diogo Jotës – një akt solidariteti që preku opinionin publik dhe botën e futbollit.
Top Channel