
Në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” në Durrës është çelur ekspozita e titulluar “Dy botë, një realitet”, që sjell përballë njëri-tjetrit krijimtarinë e dy piktorëve të njohur, Abaz Hado dhe Kamuran Goranci.
Ekspozita ndërton një dialog artistik mes dy qasjeve të ndryshme, ku natyra shfaqet në figuracion poetik përmes penelit të Hados, ndërsa Goranci kompozon bukur ngjyrat në teksturë kromatike.
Në këtë ndërthurje, arti nuk është thjesht pasqyrim i botës, por një mënyrë për ta rishfaqur dhe ripërjetuar atë.
“Zgjedhja është e veçantë, se Çamëria, dhe Kosova bëjnë një ekspozitë të përbashkët. Një shembull i mirë që të bashkojmë vlerat tona kombëtare dhe Abazin e kam edhe mik”, tha Kamuran Goranci-Piktor.
Pas afro dy dekadash mungesë, Abaz Hado rikthehet me një ekspozitë në Durrës, duke sjellë 11 punime të realizuara vitin e fundit, ku vijon të hulumtojë figurën e pemës si simbol i jetës dhe natyrës.
“Vijmë nga krahina të ndryshme. Jemi mes dy botëve, por me një realitet të përbashkët, atë shqiptar. Kam shumë nostalgji për Durrësin, sepse kjo galeri më pëlqen shumë”, deklaroi Abaz Hado-Piktor.
Ekspozita “Dy botë, një realitet” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 4 tetor.
Top Channel