Salianji për herë të fundit para Shërbimit të Provës: Mbaroi një dënim i padrejtë, tani betejë për një shoqëri me rregulla

26/09/2025 11:30

Ish deputeti i PD Ervin Salianji, ka zbatuar vendimin e GJKKO për t’u paraqitur për herë të fundit këtë të premte në zbatim të masës së shërbimit të provës.

Në një deklaratë për mediat ai tha se beteja e tij me drejtësinë do të vijojë në Gjykatën Kushtetuese, e nëse ajo rezulton e kapur nga kryeministri, etapa e radhës do të jetë Strasburgu.

Mbaroi një periudhë kufizimi dhe një dënim i padrejtë. Pasoja që solli denoncimi im ishte pozitive për shoqërinë, sepse një trafikant përfundoi në burg. Dënimi im nuk ishte për vepra që dëmtojnë shoqërinë – unë nuk kam vjedhur, nuk kam vrarë, nuk kam ushtruar dhunë dhe nuk kam bërë korrupsion. Përkundrazi, kam denoncuar me forcë korrupsionin, vjedhjet, vrasjet dhe trafikantët. Ky dënim u vendos sepse e kam mundur qeverinë, sepse kam goditur trafikantët, sepse kam fituar përballjet politike dhe elektorale me Edi Ramën”, tha Salianji.

Sipas tij “Gjatë kësaj periudhe prove, ashtu siç edhe pritej, nuk kreva asnjë krim, nuk dëmtova askënd dhe nuk i solla asnjë pasojë negative shoqërisë. I vetmi që u ndje i dëmtuar ishte pushteti, sepse unë e kam sfiduar dhe e kam fituar atë me votë e me denoncime. Do të bëj betejë për një shoqëri me rregulla, me drejtësi të barabartë për të gjithë dhe për demokraci të vërtetë. Ky është një angazhim që nuk e ndal asnjë padrejtësi.”.

Top Channel