Asetet e ngrira ruse, Gjermania pro huasë për Ukrainën. Merz kërkon mobilizim financiar për mbrojtjen e Kievit

26/09/2025 11:35

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka dhënë mbështetjen e tij për një plan të ri të Bashkimit Evropian që synon sigurimin e një huaje për Ukrainën, e cila do të garantohet përmes aseteve të ngrira të bankës qendrore ruse që ndodhen në territorin e BE-së.

Sipas propozimit të publikuar në një artikull në Financial Times, Merz ka kërkuar një “impuls të ri” në përpjekjet për të ndryshuar llogaritë strategjike të Kremlinit. Ai propozon një hua të BE-së në vlerën e 140 miliardë eurove, pa interes, për t’i garantuar Ukrainës ndihmë afatgjatë për qëllime mbrojtjeje. Sipas planit, kjo hua do të shlyhet nga Rusia, në momentin kur të paguajë reparacionet për dëmet që ka shkaktuar me agresionin ndaj Ukrainës.

Në zemër të debatit qëndrojnë 183 miliardë euro asete të ngrira të Bankës Qendrore Ruse, të cilat ndodhen te kompania belge Euroclear, me seli në Bruksel. Deri tani, Belgjika, Franca dhe vetë Gjermania kanë qenë skeptike për sekuestrimin e drejtpërdrejtë të këtyre fondeve, për shkak të shqetësimeve ligjore dhe pasojave mbi reputacionin ndërkombëtar të euros si monedhë rezervë.

Megjithatë, për të kapërcyer këtë ngërç, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen propozoi një formulë kompromisi: asetet do të mbeten të paprekura, por do të përdoren si garanci për një hua të madhe, të cilën Ukraina do ta shlyejë vetëm nëse dhe kur Rusia paguan dëmshpërblimet.

Merz tha se është i vetëdijshëm për ndërlikimet ligjore, por beson se këto mund të anashkalohen pa cënuar të drejtën e pronësisë. Ai kërkon që marrëveshja për këtë instrument financiar të miratohet në samitin e BE-së në fund të tetorit, duke paralajmëruar se mbështetja për Ukrainën duhet të garantohet për një periudhë afatgjatë.

Në vitet e fundit kemi vepruar shpesh në mënyrë ad-hoc. Tani unë po kërkoj një mobilizim të burimeve financiare në një shkallë që do t’i sigurojë Ukrainës qëndrueshmëri ushtarake për disa vite,” shkroi Merz.

Ai sqaroi gjithashtu se fondet duhet të përdoren ekskluzivisht për qëllime mbrojtjeje, dhe jo për shpenzime të përgjithshme apo rindërtim

Edhe pse Gjermania po bën një hap të rëndësishëm drejt dakordësisë, pengesa kryesore mbetet kundërshtimi i Belgjikës dhe Francës, të cilat janë të shqetësuara për pasojat ligjore që mund të përballojë Euroclear në rast të përdorimit të fondeve ruse.

Merz gjithashtu sugjeroi se vendimi mund të miratohet me shumicë të cilësuar të vendeve anëtare, nëse nuk arrihet unanimitet, duke lënë të kuptohet se mund të anashkalohet një veto e mundshme nga Hungaria.

Kjo nismë e re financiare shihet si një përpjekje strategjike për të garantuar qëndrueshmërinë e Ukrainës në fushën e betejës, në një kohë kur mbështetja politike dhe financiare nga Perëndimi po përballet me sfida të reja.

Top Channel