Zbulime të reja në Antigone, arkeologët: Kemi gjetur struktura dhe banesë

25/09/2025 12:48

Në Gjirokastër u prezantuan rezultatet e fundit të ekspeditës arkeologjike italo-shqiptare në Antigone, qyteti antik i themeluar nga Pirro i Epirit.

Aktiviteti, i organizuar nga Universiteti i Maceratës dhe Instituti i Arkeologjisë i Tiranës në bashkëpunim me DRTK Gjirokastër, mblodhi studiues, arkeologë dhe përfaqësues të diplomacisë italiane për të ndarë jo vetëm gjetjet e reja, por edhe vizionin për zhvillimin e territorit.

Gjatë këtij sezoni dolën në dritë struktura që duket se i paraprijnë themelimit të qytetit, ndërkohë që të dhënat e reja dëshmojnë se Antigonea ka jetuar përtej vitit 168 p.e.s., më gjatë nga sa ishte menduar. Në zonën e Agorasë janë zbuluar elemente të hershme, ndërsa në sektorin e banesave një shtëpi e plotë me arkitekturën e saj ka sjellë gjetje të shumta si qeramikë, monedha e objekte metalike. Për arkeologët, këto janë dëshmi të fazave të panjohura të përdorimit të qytetit.

Ne kemi punuar në Adrianopol dhe shumë site të tjera dhe ka qenë e rëndësishme të kuptonim çfarë kishte ndodhur në Antigone, një qendër e rëndësishme qytetare e luginës së Drinos që nga shekulli i 3-të para Krishtit dhe deri në shekullin e parë para Krishtit. Pra kemi të bëjmë me një kryeqytet të rajonit”, shprehet Roberto Perna, bashkë drejtues i misionit.

“Rezultatet kanë qenë shumë interesante. Kemi zbuluar struktura në agorá dhe një banesë të plotë, por projekti ka në fokus edhe trajnimin e studentëve si nga Macerata, ashtu edhe nga Universiteti i Tiranës”, shprehet Sabina Veseli, Instituti i Arkeologjisë.

Edhe Mereglen Meshini theksoi risinë e këtij viti duke thënë “Janë zbuluar gjurmë që nuk njiheshin më parë. Është ende herët për datime të sakta, por të dhënat janë premtuese për të identifikuar faza më të hershme se ato që njiheshin deri tani”.

Ngjarja nuk u kufizua vetëm te arkeologjia. Në fund, arkitekti Massimo Sargolini solli perspektivën e planifikimit territorial, duke propozuar mënyra se si këto gjetje mund të lidhen me zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale, bazuar edhe mbi planin e prezantuar në vitin 2017 nga Ambasada e Italisë. Antigonea, e vendosur mbi kodrën e  Jermë pranë fshatit Saraqinisht dhe vetëm 14 km larg Gjirokastrës, vazhdon të mbetet një nga thesaret arkeologjike të Shqipërisë së Jugut.

Me mure rrethues prej afro katër kilometrash dhe një sipërfaqe të konsiderueshme urbane, qyteti është tashmë Park Arkeologjik dhe vizitohet çdo vit nga një numër gjithnjë e më i madh turistësh. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025 vizitat janë rritur me 21 për qind krahasuar me një vit më parë.

Top Channel