U gjet i vrarë mbrëmjen e djeshme, viktima la pas një djalë/ Një person i dyshuar dorëzohet në Policinë e Durrësit

25/09/2025 09:22

I dhunuar dhe me plagë të shumta në trup, kështu u gjet viktima në Durrës mbrëmjen e djeshme, teksa burime për TCH thonë se një person i dyshuar për krimin është dorëzuar në polici, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e vrasjes së 51-vjeçarit.

Policia dhe Prokuroria në Durrës po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 12 të qytetit.

Rreth orës 19:30, shërbimet e Policisë u njoftuan se në një banesë në këtë lagje ishte gjetur pa shenja jete shtetasi Valbon Beqiri, i njohur edhe me emrin Marko Beqiri, 51 vjeç, baba i një djali.

Nga ekspertiza paraprake mjekoligjore, e kryer nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se viktima kishte shenja dhune dhe plagë të shkaktuara me thikë, të cilat dyshohet se i kanë shkaktuar vdekjen.

Përgjatë natës dhe gjatë ditës së sotme, një grup i posaçëm hetimor ka kryer dhe po kryen veprime të thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.

Policia njoftoi se pas përfundimit të veprimeve, do të jepet një informacion më i detajuar mbi këtë ngjarje, ndërsa një nga pistat e deritanishme është ajo e një krimi pasioni.

Top Channel