
Gjykata e Apelit i ka kërkuar në mënyrë të përsëritur Këshillit të Lartë Gjyqësor që të plotësojë vakancat me gjyqtarë.
Në shkresën që Top Channel e disponon, kërkesa është firmosur nga këshilli i kësaj gjykate, në të cilën gjykohen të gjitha çështjet penale në rang vendi, duke ngritur shqetësimin për atë që e quajnë si kushte të papërballueshme fluksi.
Gjykata e Apelit ka aktualisht në detyrë – thuhet në këtë shkresë – 31 gjyqtarë, ndërkohë që harta e re parashikon 78 gjyqtarë.
Apeli gjendet midis numrit të lartë të konflikteve gjyqësore që regjistrohen dhe numrit të pakët të gjyqtarëve, ku bëhet fjalë për çështje të vështira pronësie, penale në të gjithë territorin, dhe që kanë ndjeshmëri dhe kompleksitet të lartë – faktorë këta që cenojnë seriozisht funksionalitetin e kësaj gjykate, theksohet në dokument.
Po ashtu, në kërkesë konsiderohet si imediate nevoja për të asistuar çdo gjyqtar me dy ndihmës ligjorë, për sa kohë një gjyqtar shqyrton mesatarisht 379 çështje, ndërsa stoku tanimë ka kapërcyer shifrën e 44 mijë të tilla.
Sipas shkresës, ky stok u shkaktua nga mungesa e gjyqtarëve, çka solli pritje të gjata të qytetarëve për gjyqet.
Apeli mbeti e vetmja gjykatë në shkallë vendi pas aplikimit të hartës së re gjyqësore dhe menjëherë me zbatimin e vettingut, edhe kjo shkallë u prek nga stoku, ashtu siç kishte ndodhur më herët me Gjykatën e Lartë.
Në apelin e Apelit i numërohen KLGJ-së edhe pasojat që po shkaktohen nga stoku, si gjyqe të stërzgjatura, rreziku i shuarjes automatike të masave, me ndikim në cenimin e parimit të shqyrtimit brenda afateve.
Top Channel