SHBA e ashpër me Rusinë/ Vance dhe Rubio kthejnë pllakën pro Ukrainës. Janë në një linjë me Trump

25/09/2025 13:44

Qasja më e ashpër e presidentit amerikan Donald Trump me Rusinë është përqafuar menjëherë nga zëvendësi i tij, Nënpresidenti JD Vance, dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio.

Të dy ata e akuzuan Moskën e nuk po bën mjaftueshëm për t’i dhënë fund luftës dhe për t’i ndalur vrasjet në Ukrainë. Trumpi “mendon se ata nuk po bëjnë mjaftueshëm në tavolinën e bisedime për t’i dhënë fund luftës… Nëse rusët nuk pranojnë të bisedojnë me mirëbesim, mendoj se do të jetë shumë, shumë keq për vendin e tyre”, thanë numri dy i shtetit amerikan dhe shefi i diplomacisë së SHBA-së.

Rubio u takua dhe me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku përsëriti thirrjen e Trumpit “për t’i dhënë fund vrasjeve dhe nevojën që Moska të ndërmarrë hapa domethënës drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme të luftës Rusi-Ukrainë”.

Lavrovi u përgjigj duke thënë se ka “interes të përbashkët për të gjetur zgjidhje paqësore” për luftën në Ukrainë. Por, ai përsëriti nevojën e Moskës për t’i “eliminuar shkaqet rrënjësore të konfliktit ukrainas”. Qëndrimi i ri i administratës amerikane vjen pasi Trumpi, duke bërë kthesë të papritur, deklaroi më 23 shtator në rrjetet sociale se Ukraina mund ta rimarrë të gjithë tokën e pushtuar nga Rusia me ndihmën e mbështetësve të saj europianë. Kjo në një kohë kur në të kaluarën ai vetë dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kishin lënë të kuptohet se Ukraina do të duhet t’i jepte pjesë të tokës së vet Rusisë në marrëveshje për paqe.

Sipas Rubios, vonesa e Rusisë në procesin e paqes në Ukrainë çoi në një kthesë drejt Moskës. Trump tregoi “durim të jashtëzakonshëm” dhe shpresoi për një përparim diplomatik. Por kjo jo vetëm që ka çuar në stanjacion, “por ne kemi hyrë në një fazë të përshkallëzimit të mundshëm, tha sekretari i Shtetit i cili e kërcënoi Moskën me sanksione ekonomike dhe theksoi se SHBA-ja mund të vazhdojnë të ndihmojnë Kievin me armë.

Top Channel