
Më shumë se 1,000 fëmijë janë helmuar këtë javë në Indonezi si pasojë e ushqimit të ofruar në kuadër të programit të drekës falas në shkolla, një nismë e Presidentit Prabowo Subianto.
Autoritetet kanë raportuar se vetëm mes të hënës dhe të mërkurës janë regjistruar 1.074 raste helmimi, sipas Qendrës Shëndetësore të Komunitetit Cipongkor në provincën Java Perëndimore.
Ky është incidenti më i fundit në një seri shpërthimesh helmimi që kanë përfshirë më herët mbi 800 nxënës, me simptoma që përfshijnë dhimbje stomaku, marramendje dhe të përziera.
Programi, i cili synon të ofrojë dreka falas për 80 milionë nxënës në të gjithë vendin, ka një buxhet prej 28 miliardë dollarësh dhe është ndër më të kushtueshmit në botë, program i promovuar si një mjet për të luftuar kequshqyerjen dhe pengesat në rritje tek fëmijët.
Ushqimet e shërbyera përfshinin pulë me salcë soje, perime dhe fruta, ndërsa më herët, helmimi është lidhur me përdorimin e përbërësve të skaduar, përfshirë salcën apo peshkun e kontaminuar.
Agjencia Kombëtare e Ushqyerjes ka pezulluar përkohësisht operimin e Njësisë së Shërbimit të Përmbushjes së Ushqimit (SPPG) në zonën e prekur, ndërsa autoritetet lokale e kanë shpallur situatën si një “ngjarje të jashtëzakonshme” për të mundësuar një ndërhyrje më efikase.
Organizatat e shoqërisë civile po kërkojnë pezullimin e përkohshëm të programit për të bërë një vlerësim të plotë të sigurisë ushqimore, ku disa propozime përfshijnë shpërndarjen e fondeve drejtpërdrejt te prindërit, ide që është refuzuar deri tani nga autoritetet.
Ndërkohë që qeveria ka deklaruar se nuk ka plane për ta ndalur programin, ekspertët kanë paralajmëruar për rreziqet e korrupsionit dhe keqmenaxhimit, duke pasur parasysh përmasat e mëdha të buxhetit të ndarë për këtë skemë.
Top Channel