“Paska aplikuar në “Shkollën” e Korrupsionit”, zëdhënësja e Metës ironizon Silva Cakën: S’ndalojmë askënd të lëpijë ku ka pështyrë

25/09/2025 18:41

Pas emërimit si zëvendës ministre e Brendshme të ish-deputetes dhe aleates së Ilir Metës në Partinë e Lirisë, Silva Caka, ka reaguar zëdhënësja e ish-presidentit Meta.

Jasmilla Memelli ka ndarë në Facebook një video të vjetër të Cakës, ku deklaronte se njerëzit që janë bashkuar PS janë rekrutuar nga Edi Rama dhe se ‘kanë gjetur tenxherja kapaku’, duke shtuar se kjo e fundit ka ‘lëpirë aty ku ka pështyrë’.

“Kur dikush zgjedh të braktisë vlerat e Lirisë dhe Demokracisë për një karrige të pa vlerë në Qeverinë e krimit dhe të korrupsionit, nuk largohet nga Partia e Lirisë, por nga morali, integriteti dhe parimet.

Nuk ndalojmë askënd të lëpijë atë që ka pështyrë, apo të pështyjë fytyrën e vet. As të nëpërkëmbë edhe gjakun e familjes të derdhur për vlerat e shenjta të Lirisë. Këto janë zgjedhje personale, që flasin më shumë se çdo fjalë”, shprehet ajo.

Më tej shton se Caka kur u largua nga PL, u largua me motivacionin për të ndjekur shkollën e Magjistraturës, por sipas saj rezultoi se ka “aplikuar në “Shkollën” e Korrupsionit, Krimit dhe Vesit”.

“Ka mbi një vit që S.C ka dhënë dorëheqjen për të ndjekur gjoja Shkollën e Magjistraturës, që në fakt rezultoi aplikim për në “Shkollën” e Korrupsionit, Krimit dhe Vesit.

Partia e Lirisë është më e vendosur se kurrë në mbrojtjen dhe jetësimin e kauzave të saj madhore ekzistenciale kombëtare, për të vazhduar pa kompromis luftën parimore dhe patriotike, krah për krah me opozitarët e vërtetë dhe me të gjithë shqiptarët e ndershëm, për t’i shkurtuar ditët regjimit kriminal të Edi Ramës që ka shpopulluar vendin dhe po rrjep pa mëshirë popullin me korrupsionin skizofrenik”, shkruan Memelli.

Top Channel