
Ngjitja në Everest është një proces i jashtëzakonshëm, që kërkon muaj të tërë përgatitjeje fizike dhe mendore, si dhe përshtatje me lartësitë ekstreme.
E megjithatë, 17-vjeçarja Bianca Adler, tashmë e njohur për arritjet e saj në alpinizëm, i është afruar majës më të lartë në botë, por është detyruar të ndalojë vetëm 400 metra larg saj.
Bianca, e cila ka vendosur më parë rekorde si gruaja më e re që ka ngjitur majat Manaslu (8,163 metra) dhe Ama Dablam (6,812 metra), ka dokumentuar udhëtimin e saj drejt Everestit në TikTok dhe Instagram. Videoja e saj më e fundit në TikTok u bë virale, duke mbledhur mbi 55 milionë shikime në vetëm dy ditë. Në të, ajo tregon gjendjen e saj pas katër ditësh të kaluara në “Zonën e Vdekjes”.
@biancaaadler after spending almost 4 days in the death zone, feeling the worst I have ever felt #fyp #viral #everest #nature #climbing
Kjo zonë, e cila ndodhet rreth 8,000 metra mbi nivelin e detit dhe afër majës së Everestit (8,849 metra), njihet për mungesën ekstreme të oksigjenit që nuk mund të mbështesë jetën për një kohë të gjatë. Në pamjet e publikuara, Bianca shfaqet e rraskapitur, duke u përpjekur të marrë frymë dhe duke thënë: “Sapo u ktheva nga Streha 2 dhe ndihem tmerrësisht keq… Fyti dhe mushkëritë e mia… Jam shumë pa frymë, edhe pse dje isha në 8,000 metra. Ndihem më keq se kurrë.”
Në një video të publikuar më 23 shtator, ajo zbuloi se kishte arritur deri në Streha 4 (7,925 metra), por ishte “e thyer” dhe u detyrua të tërhiqej për arsye sigurie.
“Është kaq e vështirë. Ndihesha kaq mirë dhe kaq e fortë, por më duhej të kthehesha prapa për diçka që nuk mund ta kontrolloja,” u shpreh ajo me ndihmën e një maske oksigjeni.
“Nuk ka asgjë që mund të bëj për këtë dhe do të ishte budallallëk të vazhdoja.”
Në një postim në Instagram, ajo dha më shumë detaje mbi situatën: “Arrita 8,450 metra (400 metra poshtë majës) në Everest, por më duhej të kthehesha prapa. Erërat ishin shumë të forta për atë që mendoja se ishte e sigurt. Ndjeva duart dhe gishtërinjtë e këmbëve të mpirë, faza e parë e ngrirjes. Nuk mund të shihja asgjë, binte borë kudo. Ishte një vendim jashtëzakonisht i vështirë, por gjithmonë zgjedh jetën mbi një majë të mundshme”.
Ajo shtoi se, natën pas kësaj përpjekjeje, u përpoq sërish të ngjitej në majë nga Streha 4 së bashku me guidat e saj Sherpa, por ishte shumë e rraskapitur nga përpjekja e mëparshme prej 10 orësh dhe u detyrua të kthehej sërish. Pas tre netësh dhe afro katër ditësh në Zonën e Vdekjes, grupi i saj u rikthye në Streha 2.
Bianca gjithashtu tregoi se babai i saj, i cili e shoqëronte në këtë ekspeditë, u sëmur dhe qëndroi në Streha 2 gjatë përpjekjes së saj për tu ngjitur në majë.
“Gjatë zbritjes, ai ishte ende i sëmurë dhe unë isha e rraskapitur. Të dy u diagnostikuam me HAPE (edemë pulmonare në lartësi të madhe) dhe dehidratim, që janë të zakonshme në alpinizëm,” shkroi ajo.
“Unë ende ndihem mjaft e sëmurë dhe jashtëzakonisht e rraskapitur, kështu që më duhet kohë për t’u rikuperuar.”
Top Channel