
Italia dhe Spanja kanë vendosur anije ushtarake për të mbështetur një flotilje ndërkombëtare ndihmash që u sulmua me dronë ndërsa përpiqej të dorëzonte ndihma në Rripin e Gazës, duke rritur potencialisht tensionet diplomatike me Izraelin, i cili kundërshton fuqimisht iniciativën.
Flotilja Globale Sumud (GSF), e përbërë nga rreth 50 anije civile, ka për qëllim të thyejë bllokadën detare të Gazës. Në bord ndodhen avokatë dhe aktivistë ndërkombëtarë, përfshirë aktivisten suedeze për klimën, Greta Thunberg.
Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, deklaroi të enjten se vendi i tij kishte dërguar një anije luftarake dhe priste një tjetër në mbështetje të qytetarëve italianë që ndodhen në anije të vogël. Ai theksoi se operacioni nuk është një akt lufte apo provokim, por një akt humanitar në mbrojtje të qytetarëve të vet.
“Nuk është një akt lufte, nuk është një provokim: është një akt humanizmi, i cili është një detyrë e një shteti ndaj qytetarëve të tij”, u shpreh Crosetto në parlament.
Mediat e huaja raportojnë se Italia kishte propozuar një kompromis që përfshinte dorëzimin e ndihmave në Qipro, prej nga do t’i dorëzoheshin Patriarkanës Latine të Jerusalemit, për shpërndarje në Gaza. Kryeministrja Giorgia Meloni deklaroi se Izraeli mbështeti këtë plan, por delegacioni italian në flotilje e hodhi poshtë propozimin, duke theksuar se qëllimi i tyre është të sfidojnë bllokadën, që e konsiderojnë të paligjshme.
“Misioni ynë i qëndron besnik qëllimit të tij fillestar për të thyer rrethimin e paligjshëm të Izraelit dhe për të ofruar ndihmë humanitare popullsisë së rrethuar të Gazës,” thuhej në deklaratën e grupit italian.
Patriarkana Latine e Jerusalemit nuk pranoi të komentojë mbi raportimet se ishte përfshirë në negociata për dorëzimin e ndihmave.
Një incident i rrezikshëm ndodhi të mërkurën, kur dronë hodhën granata zhurmuese dhe substanca irrituese mbi anije, ndërsa ato ndodheshin 30 milje detare nga ishulli grek i Gavdos, në ujëra ndërkombëtare. Asnjë person nuk u lëndua, por disa anije u dëmtuan.
Të enjten, edhe Spanja njoftoi vendosjen e një anijeje ushtarake, duke u bashkuar me Italinë në një veprim të paprecedentë nga qeveritë evropiane për të mbrojtur një flotilje civile në ujëra të debatueshme ndërkombëtare.
Historikisht, përpjekjet e aktivistëve për të thyer bllokadën detare ndaj Gazës janë ndaluar me forcë nga forcat izraelite.
Top Channel