
Tre vajza të reja janë vrarë në mënyrë brutale nga një grup kriminal i trafikut të drogës në Argjentinë, pasi u rrëmbyen dhe iu nënshtruan torturave dhe përdhunimit — një pjesë e të cilave u transmetua drejtpërdrejt në TikTok, duke tronditur opinionin publik.
Ngjarja makabre është cilësuar nga autoritetet si një “akt hakmarrjeje” nga një bandë narkotrafikantësh, e cila besohet se mashtroi viktimat duke i ftuar në një “event”, për t’i çuar në një vend ku do t’i ekzekutonin me metoda çnjerëzore.
Viktimat janë identifikuar si:
Lara Gutierrez, 15 vjeç, më e reja mes tyre
Brenda del Castillo, 20 vjeç
Morena Verdi, 21 vjeç
Sipas mediave lokale, dy nga viktimat ishin akuzuar për vjedhjen e katër kilogramëve kokainë nga grupi kriminal – një veprim që mendohet se çoi në hakmarrjen e përgjakshme.
Hetuesit kanë zbuluar detaje të tmerrshme nga vendi i ngjarjes:
Lara Gutierrez kishte humbur të gjitha gishtat e dorës së majtë përpara se të ekzekutohej.
Brenda del Castillo kishte plagë të rënda në kokë dhe barku i ishte çarë.
Morena Verdi ishte asfiksuar me një qese plastike të vendosur në kokë.
Trupat e tyre u gjetën të groposur në një kopsht pesë ditë pasi ishin shpallur të zhdukura. Sipas ministrit të sigurisë së Buenos Aires, Javier Alonso, vendi i krimit ishte një shtëpi e përdorur nga grupi si bazë operacionale.
“Vajzat u panë për herë të fundit duke hipur në një automjet me dëshirë, pasi mendonin se po shkonin në një event. Në fakt, kishin rënë në kurthin e një bande ndërkombëtare të trafikut të drogës, e cila kishte planifikuar vrasjen e tyre,” – deklaroi Alonso.
Sipas autoriteteve, udhëheqësi i bandës që urdhëroi vrasjet është një shtetas peruan, i cili besohet se ka ikur nga vendi. Deri më tani janë arrestuar katër persona në lidhje me rastin.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në Argjentinë dhe më gjerë, ndërsa autoritetet kanë nisur një hetim të plotë për të zbuluar të gjithë të përfshirët dhe për të çmontuar rrjetin kriminal pas krimit.
Top Channel