Shkundet sërish Turqia, tërmeti me magnitudë 4.2 ballë godet pjesën perëndimore të vendit
Presidenti amerikan Donald Trump, është zotuar para udhëheqësve arabë se Izraeli nuk do të lejohet të aneksojë Bregun Perëndimor të pushtuar prej tij.
Lajmin e përcjell rrjeti televiziv Al Arabiya, duke cituar burime që kanë njohuri për çështjen. Garancia, sipas medias në fjalë, u dha gjatë një takimi që kreu i Shtëpisë së Bardhë zhvilloj me liderë arabë dhe të Gjirit në kuadrin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Zyrtarët rajonalë kanë paralajmëruar vazhdimisht se çdo përpjekje për aneksimin e këtij territori do të kthehet në një shkëndijë për ta ndezur konfliktin edhe më shumë, duke vënë në të njëjtën kohë në rrezik marrëveshjet e normalizimit.
Qeveria e Izraelit, e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu, është zotuar vazhdimisht të parandalojë krijimin e një shteti palestinez dhe ka sinjalizuar qëllimin e saj për të zgjeruar kontrollin mbi territorin e pushtuar. Shtetet arabe dhe të Gjirit kanë ushtruar presion ndaj Uashingtonit – për të ndërhyrë, duke paralajmëruar se aneksimi mund të ngrijë Marrëveshjet e Abrahamit.
SHBA-ja, mbështetësja kryesore politike dhe ushtarake e Izraelit, shihet në këtë pikë si e vetmja palë e aftë për t’i dhënë fund luftës në Gaza, dhe vetë Trumpi shpesh i thekson marrëveshjet e ndërmjetësuara gjatë administratës së tij të parë, si një arritje diplomatike historike
Top Channel