
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shkëmbyer disa batuta me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një takimi në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, ku nuk munguan as komentet me tone ironike mbi zgjedhjet e diskutueshme.
Trump dhe Erdogan zhvilluan bisedime private në Shtëpinë e Bardhë. Por, përpara se të shkonin pas dyerve të mbyllura, dy homologët iu drejtuan medias në Zyrën Ovale.
Trump, duke përsëritur pretendimin e tij se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në SHBA ishin të manipuluara, u kthye nga Erdogan dhe tha me ironi: Ai i njeh zgjedhjet e manipuluara më mirë se kushdo.
Deklarata e Trump vjen mes pretendimeve të tij të vazhdueshme të cilat janë hedhur poshtë nga gjykatat dhe autoritetet zgjedhore se Joe Biden nuk e ka fituar realisht garën presidenciale të vitit 2020.
Ndërkohë, edhe Erdogan është përballur me akuza ndërkombëtare për autoritarizëm dhe shkelje të demokracisë. Në muajin mars, qeveria e tij arrestoi dhe burgosi rivalin kryesor politik, një lëvizje që shkaktoi protesta masive në Turqi.
Pavarësisht batutave, Erdogan u shfaq i kënaqur për vizitën e tij në Uashington, duke theksuar se ajo përkoi me Asamblenë e 80-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Duke folur në turqisht, ai u shpreh se “marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-së mund të çohen në një nivel shumë më të ndryshëm”, duke shtuar se tema si avionët luftarakë F-35 dhe F-16 do të diskutohen gjatë takimit.
Top Channel