
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në anijen e pasagjerëve Blue Star Chios në Greqi, ku një marinar 20-vjeçar, pjesëtar i ekuipazhit, humbi jetën tragjikisht.
Sipas njoftimit të Rojës Bregdetare, i riu mbeti i bllokuar në një derë rrëshqitëse të papërshkueshme nga uji në garazhin e anijes, duke pësuar lëndime të rënda. Ai u nxor menjëherë nga kolegët dhe iu dha ndihma e parë, duke e transportuar më pas drejt spitalit por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi të mbijetonte.
Autoritetet kanë nisur një hetim paraprak për të sqaruar rrethanat e sakta të aksidentit, ndërsa është informuar edhe prokuroria.
Në një deklaratë zyrtare, kompania shprehu tronditjen e saj për humbjen e marinarit dhe ngushëlloi familjen e tij.
“Jemi të shokuar nga ky incident tragjik. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për të afërmit e marinarit dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet kompetente për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, deklaroi kompania.
Top Channel